Mickoski: Pyetja për komisionin anketues për rastin e Koçanit duhet t’u parashtrohet deputetëve

Kryeministri Hristijan Mickoski beson se pyetja e formimit të një komisioni anketues parlamentar për të hetuar zjarrin në diskotekën e Koçanit duhet t’u drejtohet deputetëve. Ai e tha këtë në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse grupi parlamentar i VMRO-DPMNE do ta mbështeste kërkesën e të afërmve të të vrarëve në zjarr, që deputetët të iniciojnë një seancë dëgjimore mbikëqyrëse dhe të formojnë komision të posaçëm anketues për hetim të plotë dhe të pavarur të rastit, transmeton Portalb.mk.

“Sa i përket mbështetjes për një komision anketues, mendoj se duhet t’ua bëni këtë pyetje deputetëve. Mendoj se kjo lloj përballjeje me publikun do të ndodhë shumë shpejt kur të fillojë procesi gjyqësor. Atje, të gjithë, si qytetarët ashtu edhe publiku, do të mund të ndjekin atë që ndodhi”, tha ai, duke dhënë një deklaratë për mediat pasi vendosi gurthemelin për ndërtimin e një kopshti të ri në Komunën e Gazi Babës.

Lidhur me kërkesën për mbështetje financiare të njëhershme për familjet e të vdekurve në Koçan, duke ndjekur shembullin e atyre që vdiqën në zjarrin në spitalin modular në Tetovë, Mickoski nuk dha përgjigje specifike, por tha se si qeveri gjithmonë kanë bërë dhe do të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar.

“I dëgjova kërkesat. Nuk kam absolutisht asnjë dilemë se ne si qeveri bëmë, po bëjmë dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar në atë rast, për të lehtësuar dhimbjen që është e pamatshme, e pakufizuar dhe e madhe”, tha kryeministri.

Deputetja nga Levica, Jovana Mojsoska, tha sot se qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk ka më argumente për shtyrjen e seancës mbikëqyrëse dhe formimin e një komisioni anketues për tragjedinë e Koçanit, duke pasur parasysh se aktakuza për rastin është ngritur më shumë se një muaj më parë.

Ndryshe, gjatë “Marshimit të Engjëjve” të së shtunës, në një fjalim para Parlamentit, Natalija Gjorgieska, bashkëshortja e këngëtarit Andrej Gjorgieski nga DNK, i cili vdiq në zjarrin në “Puls”, kërkoi nga deputetët të iniciojnë seancë dëgjimore mbikëqyrëse dhe komision të posaçëm anketues për, siç tha ajo, hetim të plotë dhe të pavarur të rastit.

Sipas saj, komisioni anketues është i nevojshëm për të kontrolluar veprimet e të gjitha institucioneve nga niveli lokal në atë qendror, për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme politike ose zyrtare dhe për të përgatitur masa që do të garantojnë se një tragjedi e tillë nuk do t’i ndodhë më kurrë askujt.

Gjykimi për rastin, në të cilin akuzohen 35 individë dhe tre kompani, do të fillojë më 19 nëntor (e mërkurë).

Ndryshe, pas tragjedisë së Koçanit, edhe LSDM-ja si BDI-ja, thanë se përmes komisionit hetimor në Kuvend do të kërkojë përgjegjësi politike për tragjedinë në Koçan. Mirëpo, këto mbetën vetëm paralajmërime, pasi nuk pati asnjë njoftim për iniciativë të tillë.

Komisionet anketuese si mekanizëm për kontrollin e kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv janë paraparë me Kushtetutë në nenin 76, sipas dispozitave të së cilës kuvendi themelon trupa punues të përhershëm dhe të përkohshëm. Kuvendi mund të themelojë komisione anketuese për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik.

Propozimi për krijimin e një komisioni anketues mund të bëhet nga të paktën 20 deputetë. Me qëllim të konstatimit të fakteve dhe situatave lidhur me çështje të diskutueshme krijohen komisione anketuese, për të cilat janë kompetente ministritë dhe organet e tjera të qeverisjes shtetërore.

Komisioni anketues ka për detyrë të shqyrtojë dokumentacionin, të analizojë një ngjarje apo rast specifik dhe t’i paraqesë Kuvendit gjetjet e tij. Gjetjet e komisioneve anketuese janë bazë për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike. Rregullorja e Kuvendit nuk elaboron çështjet që kanë të bëjnë me komisionet anketuese.

Gjegjësisht, nuk ka zgjidhje normative për mënyrën e punës së komisioneve hetimore, marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tyre me organet përkatëse shtetërore nga të cilat duhet të marrin të dhënat përkatëse dhe përgjigjet për çështjet në fjalë.

Për shkak të mungesës së rregullores, por edhe për shkak të qasjes dhe qëndrimit joserioz ndaj punës së komisioneve, mund të konstatohet se në praktikë Kuvendi nuk e shfrytëzon mjaftueshëm mundësinë kushtetuese për të ushtruar kontroll politik mbi bartësit e pushtetit ekzekutiv përmes komisioneve anketuese.

Ndër vite, Kuvendi ka formuar disa komisione anketuese. Më i fundit ishte ai për rastin me barnat për pacientët me kancer ose i njohur në opinion si “Onkologjia”, për të cilin dimë që nuk është se solli diçka të re ose se hodhi më tepër dritë mbi rastin. Madje nuk u dëgjua as u raportua për konkluzionet e këtij komisioni.

Komisionet të tilla më herët ka pasur edhe për vrasjen e Almir Aliut, 4-vjeçarit nga Kumanova, për rastet “Sopot” dhe “Monstra”. Megjithatë, në të gjitha rastet, komisionet anketuese nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Mesa duket, komisionet e tilla më tepër formohen sa për sy e faqe, se sa realisht për të arritur rezultate konkrete.