Mickoski prezantoi koalicionin “Maqedonia juaj”

Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE i quajtur “Maqedonia juaj” është koalicioni më i madh deri më tani, i përbërë nga 24 subjekte dhe organizata politike që qëndrojnë pas valës së ndryshimeve që duhet të sigurojnë një Maqedoni stabile dhe të fortë. Kështu tha sot lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski para selisë së partisë dhe theksoi se kanë nënshkruar statutin për koalicion strategjik dhe vendosjen e parimeve të punës së ardhshme të koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE i quajtur “Maqedonia juaj”, transmeton Portalb.mk

“Duke u nisur nga qëllimi i zhvillimit të përgjithshëm politik dhe shtetëror dhe përparimit të atdheut tonë, Republikës së Maqedonisë, duke konstatuar natyrën shkatërruese të klikës aktuale në pushtet mbi ekonominë, politikën dhe interesat kombëtare maqedonase, të vetëdijshëm për seriozitetin e sfidave me të cilat ballafaqohet Republika e Maqedonisë në betejën për zhvillim të përgjithshëm politik, ekonomik, social dhe kulturor, koalicioni “Maqedonia juaj” merr përsipër që gjatë zbatimit të programit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024, të udhëhiqemi plotësisht dhe pa mëdyshje nga parimet e përgjegjësisë dhe transparencës në veprim politik”, tha Mickoski.

Sipas tij, prioritetet kryesore të partive anëtare të koalicionit “Maqedonia juaj” do të jenë zhvillimi i ekonomisë, rritja ekonomike, investimet vendore dhe të huaja, si kusht për hapjen e vendeve të reja të punës dhe një jetë më të mirë për qytetarët.

Kujtojmë se në skenën politike shqiptare janë bërë dy koalicione të mëdha. BDI, PDSH, PDE, ASh e Ziadin Selës dhe Lëvizja Populli kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor.

Nga ana tjetër Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Lëvizja Besa, kanë bashkuar forcat nën emrin Lidhja Evropiane për ndryshim.