ASH-ja e Ziadin Selës ka vendosur që të marrë pjesë te “Fronti Evropian” që udhëhiqet nga BDI-ja

Ziadin Sela në orët e pasdites ka njoftuar që Aleanca për Shqiptarët që udhëhiqet nga ai, do të bëhet pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, koalicion i cili udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi Qendror i ASH-së i tha “PO” ofertës për t’u bërë pjesë e “Frontit Evropian”, në mënyrë që Maqedoninë sa më shpejtë dhe sigurt ta bën pjesë të BE-së”, deklaroi Sela, duke mos publikuar detaje në lidhje me atë se çfarë pozicione do të marrë në listat zgjedhore.

Ai tregoi që vetëm një anëtar ka votuar kundër këtij propozimi, ndërsa katër të përmbajtur brenda partisë.

Në mbledhjen e tretë të Kuvendit Qëndror të ASH-së, u vendos që Shtabi Zgjedhor i Aleancës për Shqiptarët të udhëhiqet nga zëvendësministri i mbrojtjes, Tiron Jajaga.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Demokratike Evropiane (PDE) dhe Lëvizja Populli (LP) në Tetovë zyrtarizuan koalicionin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nën moton e “Frontit Evropian”. Këtij koalicioni pastaj i është bashkuar edhe një parti rome dhe turke.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Kujtojmë se Arben Taravari dhe  Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Organet gjyqësore akoma nuk kanë vendosur se kush është përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët.