Mickoski: Nuk pres ndryshim në marrëdhëniet me Bullgarinë
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se nuk pret ndryshim në marrëdhëniet dhe atmosferën midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Atmosfera midis dy vendeve, sipas tij, do të bëhet edhe më e nxehtë sepse, siç tha ai, ende ka struktura politike dhe shoqërore në vendin tonë që janë të gatshme të gjunjëzohen para autoriteteve bullgare dhe të jenë indi i butë i politikës së jashtme maqedonase, transmeton Portalb.mk.
“Për sa kohë që ka struktura të tilla politike dhe forca shoqërore, nuk pres ndryshim në qëndrimin e fqinjit tonë lindor. Ne si qeveri jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime dypalëshe dhe përballje të argumenteve tona, dhe sigurisht që jemi të gatshëm të pranojmë ato argumente që do të mbizotërojnë, ashtu siç presim që pala tjetër të pranojë argumentet tona nëse ato mbizotërojnë”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
Kur u pyet nëse qeveria po përgatitej të përfshinte bullgarët në Kushtetutë, siç pretendon LSDM-ja opozitare këto ditë, Mickoski tha:
“Epo, disa pyetje nuk meritojnë përgjigje, dhe kjo pyetje është njëra prej tyre. Mendoj se i dhashë një përgjigje kësaj pyetjeje në pjesën hyrëse të fjalimit tim sot.”
Në fjalimin e tij hyrës, të cilin e mbajti pas ngjarjes për 123-vjetorin e vdekjes së Goce Dellçevit, kryeministri Mickoski tha se ende ka shtete anëtare të Bashkimit Evropian që nuk i respektojnë dhe nuk i zbatojnë vlerat e Dellçevit.
“Kemi vende të tilla që mohojnë identitetin e të madhit maqedonas Goce Dellçev dhe identitetin shekullor maqedonas. Në shekullin e 21-të, populli maqedonas ende përballet me këto sfida me të cilat nuk duhet të përballet. Në vend që të luftojmë për një të ardhme të përbashkët dhe më të mirë, ne po ngremë çështje nga e kaluara, disa prej të cilave kanë rrënjë në Mesjetë. Ne, si qeveri, do të këmbëngulim në atë që është rrënja jonë, do të qëndrojmë në vijën e identitetit maqedonas. Kjo është vija e kuqe dhe nuk do të devijojmë as një milimetër”, deklaroi Mickoski.
Ndryshe, fitorja bindëse e Rumen Radevit në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 në Bullgari shënon një kthesë të rëndësishme politike për vendin. Megjithatë, pritshmëritë për një përparim të shpejtë në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbeten të ulëta. Që nga viti 2020, Bullgaria ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë, identitetin dhe gjuhën. Një nga kërkesat kryesore të Sofjes është përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut si një popull përbërës.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.