Metformina, antidiabetiku që e zvogëlon atrofinë dhe ndezjen e muskujve

Hulumtuesit nga “Universiteti i Shëndetit” në Utah kanë zbuluar se “Metformina”, një ilaç që përdoret kundër diabetit për më shumë se gjysmë shekulli, zvogëlon atrofinë dhe ndezjen e muskujve, shkruan SciTechDaily, transmeton Portalb.mk.

Në eksperimenetet e kryera, metformina ka sulmuar qelizat e ashtuquajtura “zombi qeliza”, të cilat ndikojnë në funksionimin shëndetshëm të muskujve. Zombi qelizat shkaktojnë ndezje që ngurtëson ose në disa raste dëmton indet fibrotike. Këto gjetje u publikuan në revistën Aging Cell.

“Ne jemi të interesuar për aplikimin klinik të këtij hulumtimi,” thotë Micah Drummond, autor i publikimit si dhe profesor i terapisë fizike dhe stërvitjes atletike në Kolegjin e Shëndetësisë.

“Për shembull, është jashtëzakonisht vështirë të shërohen gjunjët tek të moshuarit pas operacioneve. Nëse u japim atyre një agjent të tipit “Metformin” gjatë periudhës së shërimit, a mund t’i ndihmojmë muskujt të kthehen më shpejt në normalitet?” tha ai.

Ekipi hulumtues e ka testuar terapinë në 20 të moshuar të shëndetshëm meshkuj dhe femra, për një periudhë shumë-javore. Një grup prej 10 personash morën “Metformin” dhe 10 të tjerët morën pilula të rrejshme gjatë një periudhe dyjavore. Kjo ishte për t’i ikur efektit “Placebo”, ku një person pa vetëdije gënjen veten se ndihet më mirë pas terapisë, vetëm sepse beson se terapia do të funksionojë.

“Ne pamë dy gjëra në studimin tonë,” thotë Drummond. “Kur pjesëmarrësit morën Metformin, ata kishin më pak atrofi të muskujve. Gjatë periudhës së shërimit, muskujt e tyre gjithashtu kishin më pak fibrozë ose kolagjen të tepërt. Grumbullimi i këtyre dy të fundit mund ta bëjë më të vështirë funksionimin e duhur të muskujve.” tha ai.

Ekipi i Drummond-it po ndjek këto gjetje duke ekzaminuar kombinimin e ilaçit me leucinën, një aminoacid që nxit rritjen dhe mund të përshpejtojë shërimin edhe më tej. Ata kanë demonstruar tashmë fuqinë e këtij kombinimi në studimet paraklinike të kafshëve.

“Metformina” është e lirë, efektive dhe mjaft e sigurt, kështu që është emocionuese të shohim se ne mund ta përdorim atë për të përshpejtuar shërimin për individët e moshuar,” shton Drummond.