Mes vargjesh u promovua libri “Kur Gonxhja Çeli” i autores Merita Emurllahi
“Kur Gonxhja çeli” është libri i parë i autores së re Merita Emurllahi, që u promovua dje në Amfiteatin e Shkollës së Mesme të Mjeksisë në Tetovë. Poezitë e përfshira në këtë libër janë krijuar në etapa të ndryshme të jetës së saj, që nga vitet e shkollës së mesme e deri në periudhën e studimeve, duke pasqyruar me ndjeshmëri të veçantë emocionet, mendimet dhe përjetimet e një shpirti të ri krijues, shkruan Portalb.mk.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Mjeksisë, Malsore Ramadani, e përgëzoi Meritën për punën e bërë edhe në kohën kur ka qenë nxënëse e kësaj shkolle si nxënëse ekselente jo vetëm në mësime po edhe në aktivitete shkollore, dhe i dëshiroi që nesër të jetë një mjeke e suksesshme, por për të vazhduar edhe me krijimtari letrare.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” të Tetovës, të pranishmit i përshëndeti Behare Neziri, sekretare, duke i shprehur përgëzime autores për botimin e librit e duke i dëshiruar suksese në fillimin e krijimtarisë, me shpresë që të ketë edhe botime tjera.
“Në vargjet e këtij libri ngritet simbolika e dritës të të gjithëve, të atyre, që ajo i do dhe i ka për shpirti, autorja e librit ka një shpirt të bukur artistik, i mbuluar fund e krye me të bukurën. Jeta e saj është e mbushur me art, si në vargje poetike, në notat e pentagramit muzikor të udhëhequr nga çelsi i Sol-it në instrumentin e flautit ku ajo luan me shumë dashuri deri në pasarelat e bukurisë dhe dashurisë për humanitet e betim të Hipokratit. Një rrugëtim të mbushur me imagjinatë krijuese urojmë edhe në vepra tjera, imagjinata qoftë çdo herë e mbushur edhe me frymëzime të reja e me suksese të shumta edhe në sfera tjera të jetës”, tha ndër të tjera recenzentja e librit Sadije Aliti.

Redaktori i librit, Muaxher Haruni, theksoi: Me poezinë e Meritës jemi takuar në aktivitetet e Shoqatës, aty edhe e filluam rrugëtimin drejt hartimit të këtij libri, ju këtë libër duhet ta lexoni dhe të reflektoni drejt mbi këtë libër dhe autoren, me këta krijues të rinj të shoqatës dhe të tjerë, unë besoj se do ta arrijmë qëllimin tone që të kemi ardhëri të krijimit të fjalës së bukur ”.
“Merita Emurllahi në vargjet e saja kalon përtej kornizave të ndjenjave apsolute, përqafon dashurinë pa frikë, dhe pranon vuajtjen si një dhuratë prej saj. Bota e një poeti është një botë e pafundme fjalësh, një burim i pashtershëm emocionesh që ndërlidhin fjalë dhe krijonë mrekulli. Ajo, penën ia dorëzon shpirtit teksa vargjet i lë të notojnë në dallgët e pafundme që prezantojnë jehonën e një simfonie të bukur rezatuese”, u shpreh Merita Isaki recenzente.

Autorja Merita Emurllahi falënderoi të gjithë të pranishmit që me praninë e tyre u bënë pjesë e një prej momenteve më të veçanta të jetës së saj. Ajo theksoi se ekzistojnë çaste kur fjalët nuk arrijnë ta përshkruajnë madhështinë e emocionit që ndjen zemra. Në fjalën e saj, autorja nënvizoi se njeriu mund të arrijë shumë në jetë, të fitojë tituj, dekorata e diploma, por të gjitha humbasin kuptimin nëse në fund harrojmë vlerën më të madhe, të jemi Njerëz.
Poezinë “Kur Gonxhja çeli” e lexoi Mejrem Asani, me pika muzikore performuan Elmir Zejneli (kitarë), Vlera Emurllahi (violinë) dhe vetë autorja me flautë, promovimin e moderoi Azra Alija.