Merren në pyetje policët e arrestuar të Kosovës

Në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë po merren në pyetje tre policët e Kosovës, të cilët sipas autoriteteve në Beograd, janë arrestuar në territorin e Serbisë më 14 qershor, transmeton REL.

Lajmin e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria e këtij qyteti në jug të Serbisë.

Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë akuzash rëndojnë mbi tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Autoritetet në Serbi të premten e 16 qershorit duhet të vendosin për trajtimin e mëtjemë të çështjes së arrestimit të tre policëve të Kosovës, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.

Ky është afati ligjor në të cilin Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masën e paraburgimit prej një muaji, dhe më pas gjyqtari të marrë vendimin.

Nëse një vendim i tillë nuk merret, policët e arrestuar duhet të lirohen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.

“Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, ka thënë një ditë më parë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.