Mensa dhe interneti ende probleme të pazgjidhura për Konviktin e Tetovës, Shaqiri thotë se janë çështje ditësh

Pavarësisht se objekti u lëshua në përdorim para rreth katër muajve, në Konviktin Studentor të Tetovës ende nuk është lëshuar në përdorim mensa, problem gjithashtu mbetet edhe interneti pasi që nuk ka në të gjithë hapësirat e konviktit. Studentët një kohë të gjatë shqetësimin e tyre e kanë shprehur në Portalb.mk për këtë problem ndërsa sot ministri i Arsimit theksoi se këto dy çështje pritet të zgjidhen brenda ditëve, duke mos precizuar se kur konkretisht.

Një nga studentët banorë të konviktit na tha se janë të informuar se shkaku që nuk është lëshuar mensa është për shkak se ka problem me aspiratorët në bodrum dhe se po kërkohet kompani serioze për rregullimin e saj që të mund të lëshohet në funksion.

“Për pjesën e internetit nuk ka asnjë lëvizje. Momentalisht kemi internet zonë në dy hapësira diku 10 metër katrorë në katin përdhese prapa vendit të sigurimeve ku kanë vendosur edhe Televizorë që mund t’i shfrytëzojmë. Kemi qenë të informuar se këto do rregullohen nga 1 janari 2024. Për pjesën tjetër jemi të kënaqur me shërbimet”, tha një student.

Këto dy problematika na i konfirmoi edhe një studente tjetër banore e konviktit.

“Jo nuk janë lëshuar, vetëm te pjesa poshtë te leximorja ka internet. Kanë thënë se do lëshohen prej semestrit tjetër për mensën, jemi në pritje tash, shpresojmë që për muajin e Ramazanit të fillojnë”, tha studentja e cila shtoi se ju është thënë se nga semestri i ardhshëm që fillon në mars këto dy çështje do të jenë të zgjidhura.

Sot në vizitë te konvikti studentor ishte ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri i cili u pyet nga Portalb.mk se kur do të lëshohet mensa në përdorim dhe kur konvikti do të ketë internet në të gjithë hapësirat.

“Çështja e mensës dhe internetit janë arsye teknike, janë çështje ditësh dhe procedurash brenda hapësirave të cilat i ka drejtori dhe ato së shpejti do të jeni prezent dhe do t’i shfrytëzoni. Çështja e operatorit është zgjedhur konform procedurave ligjore që ka pasur dhe nuk do të kenë kufizim studentët për internet ashtu siç nuk do të kenë kufizim për të përdorur edhe resurset të cilat do të jenë te bufeja”, tha Shaqiri.

Rikujtojmë që për këto dy probleme në fund të nëntorit 2023, drejtori i konviktit tha se së shpejti do të ketë zgjidhje, por pa përmendur datë konkrete. Ndërkaq, në janar 2024 nga drejtoria e konviktit qëndruan në heshtje për këto dy probleme.

Përndryshe, konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim me 1 nëntor 2023 pas shumë zvarritjeve të punimeve dhe premtimeve të cilat datojnë që nga viti 2016.