Konvikti Tetovës ende pa mensë për studentët, heshtje nga drejtoria e konviktit

Dy muaj e gjysmë pasi u lëshua në përdorim për studentët, konvikti studentor i Tetovës ene nuk ka lëshuar në përdorim mensën ushqimore për studentët. Këta të fundit ankohen në Portalb.mk për këtë problematikë. Ndërkaq drejtoria e konviktit hesht në pyetjet gazetareske.

Studentët kërkojnë që mensa të lëshohet në përdorim ose të paktën të informohen saktë se kur e njëjta do të jetë funksionale.

“Ka qenë fjala që me një janar të lëshohet në përdorim mensa, kur erdhi java e fundit e dhjetorit na thanë më duket se nuk jemi gati. Nuk ka asgjë ende”, tha një student.

“Ende nuk është lëshuar në përdorim, kemi pyetur por vetëm na kanë thënë se do e lëshojmë”, thekson një studente.

Krahas mensës, studentët në konvikt nuk kanë as internet.

Një nga studentët banorë të konviktit na tregoi se internet nuk ka në çdo kat por vetëm te dhoma afër sigurimit. Edhe për internetin ai na tregoi se u është thënë që me 1 janar do të kenë internet në çdo kat, por që nuk është bërë.

Në lidhje me këto dy probleme të studentëve kontaktuam drejtorin e konviktit studentor të Tetovës, Ajetali Dervishin, por ai nuk u përgjigj as në thirrjen tonë dhe as në sms porosinë.

Rikujtojmë që pikërisht për këto dy probleme në fund të nëntorit 2023, drejtori i konviktit tha se së shpejti do të ketë zgjidhje për këto dy çështje, por pa përmendur datë konkrete.

Përndryshe, konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim me 1 nëntor 2023 pas shumë zvarritjeve të punimeve dhe premtimeve të cilat datojnë që nga viti 2016.