Konvikti studentor i Tetovës, mensa dhe interneti ende nuk janë lëshuar në përdorim

Mensa e konviktit studentor në Tetovë ende nuk është lëshuar në funksion për studentët. Ata kërkojnë mensa për ushqim të jetë funksionale sa më shpejtë sepse detyrohen të dalin të marrin ushqim nga jashtë. Nga Konvikti Studentor thonë se së shpejti pritet të zgjidhet ky problem, por nuk kanë datë konkrete, pasi, siç thonë, janë procedura që marrin kohë, shkruan Portalb.mk.

Një muaj pasi lëshimit në funksion të konviktit studentor, ende nuk është lëshuar në funksion mensa për ushqim dhe kjo gjë ka ngjallur ankesa te studentët.

“Mensa për ushqim nuk është lëshuar ende, presim që në dhjetor të lëshohet, duhet të lëshohet përderisa është pjesë e programit”, tha një student.

“Po të kishim mensën do ishte më mirë për ne sepse do kishim ushqimin këtu dhe nuk do dilnim jashtë të hanim ose të merrnim me vete, apo edhe të përgatitim vetë”, tha një student.

“Mendoj që punën e mensës ta rregullojnë sa më shpejt dhe të jetë në funksion”, tha një studente.

Krahas kësaj, studentët thonë se nuk kanë as internet në konvikt, ndërkaq për gjërat tjera shprehen të kënaqur.

“Gjithashtu nuk kemi rrjet (internet), të tjerat në rregull janë”, tha një studente.

“Vetëm pjesën e internetit e presim si dhe marketin na thanë se është në plan”, tha një studente.

Për këto dy probleme kërkuam përgjigje nga drejtori i Konviktit Studentor të Tetovës, Ajetali Dervishi. Ai tha për Portalb.mk se zgjidhje do të ketë së shpejti, megjithatë tha se datë konkrete nuk mund të jep.

“Për mensën duhet të hapim konkurs për punëtorë, duhet kuzhinier… studentët janë të njoftuar nga ana e Ministrisë, domethënë procedurat duhet të kryhen sipas ligjit. Sa i përket internetit, po ashtu duhet të hapet tender se cila kompani do ta fitojë që të vijë të na rregullojë. Këta kërkojnë pak kohë, nuk mundemi për një muaj të arrijmë krejt t’i bëjmë. Nuk mundem të jap datë të caktuar sepse në atë sferë jemi duke punuar, së shpejti janë procedura që marrin kohë”, tha Dervishi.

Përndryshe, konvikti studentor në Tetovë u lëshua në përdorim me 1 nëntor 2023 pas shumë zvarritjeve të punimeve dhe premtimeve të cilat datojnë që nga viti 2016.