Më shumë se 300,000 të evakuuar nga zjarret në Francë dhe Spanjë

Zjarrfikësit po përpiqen me vështirësi të vënë nën kontroll zjarret masive në jugperëndim të Francës, ndërsa erërat e forta po i shtyjnë flakët drejt qytetit të Bordosë. Më shumë se 300.000 njerëz në Francë dhe Spanjë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve që kanë përfshirë rajonet prej disa ditësh, ndërsa erërat e forta dhe temperaturat e larta po e vështirësojnë punën për shuarjen e tyre, transmeton Koha.net.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, përmirësimi i kushteve të motit ka ndihmuar zjarrfikësit që po luftojnë me flakët në zonat përreth Madridit.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka deklaruar se vendin e presin “ditë të vështira”. Ndërkohë, autoritetet në Valencia kanë konfirmuar vdekjen e një burri si pasojë e një zjarri.

Burri, që besohet të ketë qenë rreth të 70-ave, është gjetur i pajetë brenda veturës së tij nga zjarrfikësit, teksa ata po shuanin një zjarr në përroin Salt de l’Aigua, në Manises, sipas mediave lokale.

Në Francë, edhe 55.000 persona të tjerë janë urdhëruar të evakuohen vonë të shtunën, duke e çuar numrin total të të evakuuarve në rreth 250.000 në rajonet jugperëndimore të Gironde dhe Landes.

Franca ka mobilizuar edhe ushtrinë për të ndihmuar në përballimin e situatës. Përforcime shtesë ushtarake janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit duke pastruar shkurret dhe duke krijuar breza mbrojtës për të penguar përhapjen e flakëve.

Presidenti, Emmanuel Macron, ka deklaruar se Franca “do të rindërtohet” dhe se qeveria e tij “do të jetë pranë qytetarëve për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Një turist, i cili është larguar me familjen e tij nga një zjarr që po afrohej pranë Bordosë, e ka përshkruar përmasën e flakëve si “të frikshme”.

Në Spanjë, zjarret vazhduan pranë Madridit.

“Sot jemi disi më pesimistë sesa ishim dje”, u ka thënë gazetarëve ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska.

Duke e përshkruar situatën si “komplekse”, ai ka shtuar se erërat e forta pritej ta shtynin zjarrin drejt jugut.

Ndërkohë në Itali, më shumë se 350 zjarre, përfshirë 10 vatra të mëdha, kanë shpërthyer në ishullin e Sicilisë, siç ka njoftuar të mërkurën kreu i Mbrojtjes Civile të Sicilisë, duke çuar në evakuime.

Një incident madhor është shpallur gjithashtu nga shërbimet e emergjencës në Skoci të premten në mbrëmje, ndërsa ato vazhdojnë të luftojnë një zjarr në një park kombëtar i cili ka qenë aktiv prej 10 ditësh.

Hadja Lahbib, Komisionerja e BE-së për menaxhimin e krizave, ka deklaruar se ka gjasa që dëmet nga zjarret në Evropë të tejkalojnë rekordet e mëparshme.