Më i pasur për një takim

Poetin Rrahman Dedaj (1939 – 2005) e kam takuar në Tetovë, falë profesorit të ndjerë, Hafezat Osmanit. Si adhurues i poezisë së tij, ky takim ishte për mua një privilegj i rrallë. Se kur je i ri, atëherë një poet i adhuruar të duket i largët, i pakapshëm, i mistershëm, i magjishëm. Ndonjëherë beson se është më mirë që një poeti të adhuruar vetëm t’ia lexosh librat, sepse ke frikë që pas takimit do të prishet magjia.

Magjia nuk u prish edhe pas takimit me poetin, të cilit i kishte pëlqyer një shkrim imi për librin e tij, Jeta gabon.

Pasi në atë kohë më mungonin “dijet teorike”, shkruaja për librat që më pëlqenin sipas “metodës dhe gramatikës sime”. Shkrimet i quaja “palimpseste”, sepse mbindërtoja një tekst të ri duke u bazuar në një tekst paraprak. Edhe sot më pëlqen të krijoj “palimpseste”, me të cilët s’mund të bësh karrierë akademike.

Siç duket, poetit Rrahman Dedaj, për të cilin ishin shkruar shumë studime e recensione, i kishte pëlqyer kjo mënyrë e të shkruarit edhe pse këtë shkrim edhe sot e konsideroj modest.

Gjatë takimit me poetin Rrahman Dedaj mbaj mend çdo lëvizje dhe përhumbje të tij. Unë ndihesha si një xhuxh para këtij Guliveri të letërsisë. E dëgjoja me kureshtje dhe ëndje, teksa fliste për poezinë dhe për poetë të ndryshëm. Flisnim edhe për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe besonim që një ditë bota do të ishte më e qetë e më e bukur.

“Duhet besuar se vazhdon / Të ecurit vertikal / Se ka dashuri / Ku nuk hyjnë tanket / Zogjtë vetëm kur fluturojnë / I përngjajnë lirisë”…

Rrahman Dedaj është njëri nga poetët më të shquar në letërsinë moderne shqipe. Librat dhe poezitë e Rrahman Dedaj janë botuar në disa gjuhë. Poezitë e tij janë përfshirë në antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar shumë kritikë letrarë shqiptarë dhe të huaj. Motivet kryesore në poezinë e tij janë dheu, njeriu dhe dashuria.

“Veprat poetike të Dedajt karakterizohen nga shprehja e pasur, emocionuese, nga një saktësi thuajse matematikore në strukturë dhe semantikë dhe nga kërkimi i ekuilibrit midis traditës dhe modernitetit”, shkroi Robert Elsie. Sipas Rexhep Qosjes, në poezinë e Rrahman Dedajt sintetizohen miti, legjenda, balada, simboli popullor dhe sensibiliteti modern.

Rrahman Dedaj ka qenë kryeredaktor i “Rilindjes” dhe redaktor në revistën “Jeta e Re”. Ai është vlerësuar si poet dhe është kritikuar për shkak të veprimtarisë shoqërore…

Në një poezi të Rrahman Dedajt për bashkëvendësit e tij e kemi vargun: “Ata janë më të pasur për një të martë”. Unë jam më i pasur për shkak të takimit me poetin. Ishte një takim ku i kursenim fjalët që t’i kthjellonim dhe thellonim mendimet. Shpesh flisnim me gjuhë ëndrre për kohën e zymtë dhe për qiejt e mbuluar me re trishtimi e ligësie…

U ndamë me shpresën që do të takoheshim sërish. “Hera tjetër” nuk erdhi kurrë. Atdheu i tij u bë qielli. Poeti u largua nga kjo botë më 2005.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.