“Eko Svest“ kërkon ndryshime ligjore: Çdo ndërtesë e re të ketë sistem fotovoltaik

Çdo shtëpi apo ndërtesë e re që do të ndërtohet, apo që do të rinovohet tërësisht duhet të ketë të instaluar një sistem fotovoltaik. Ky është një nga propozimet e bëra në Analizën e rregulloreve për burimet e ripërtëritshme të energjisë, e përgatitur nga Qendra për Hulumtim dhe Informim për Mjedisin Jetësor Eko Svest, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj, Instituti për Politika dhe Hulumtime Ekonomike dhe Energjetike dhe Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë dhe Solar Makedonija, shkruan Meta.mk.

Tranzicioni drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë është hapi më i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes globale të ndryshimeve klimatike. Përdorimi i lëndëve djegëse fosile është  shkaktari kryesor i emetimeve të gazrave serë, të cilat nxisin ngrohjen e planetit dhe shkaktojnë një sërë ndikimesh negative, përfshirë këtu fatkeqësitë natyrore më të shpeshta dhe të rënda, ngritjen e nivelit të detit dhe humbjen e biodiversitetit.

Nëpërmjet kalimit në burime të ripërtëritshme të energjisë, duke i inkurajuar qytetarët që të investojnë në sisteme fotovoltaike, mund të arrihet një reduktim i këtyre emetimeve dhe zbutje e efekteve më të këqija të ndryshimeve klimatike, aktivitete për të cilat vendi jonë ka marrë obligim nga disa dokumente ndërkombëtare.

Dokumenti propozon fillimin e një debati publik mbi nevojën për të bërë ndryshime në Ligjin për Ndërtim dhe për të shtuar një dispozitë me të cilën do të rregullohet ndërtimi ose rikonstruimi i ndërtesave për banim individual ose kolektiv me instalimin e detyrueshëm të një sistemi fotovoltaik me fuqi maksimale të instaluar prej 9 kW, varësisht nga madhësia e çatisë.

I njëjti propozim vlen për të gjitha ndërtesat e reja industriale dhe publike, për të cilat propozohet instalimi i një sistemi fotovoltaik me fuqi minimale të instaluar prej 40 kW. Propozohet që ndryshimet të plotësohen me programe të përshtatshme dhe mundësi për ndihmë për të gjitha familjet që nuk do të kenë fonde të mjaftueshme për vendosjen e një sistemi të tillë.

Megjithatë, që interesi i familjeve për të investuar në energji diellore të jetë sa më i lartë, analiza ka treguar se nevojitet një iniciativë për ndryshime në Rregulloren për burimet e ripërtëritshme të energjisë për ta rritur kufirin e fuqisë së përgjithshme të instaluar të sistemeve fotovoltaike për amvisëritë dhe për ndërtesat e banimit nga 6 kW në 9 kW, si dhe një ndryshim në përllogaritjen e çmimit të energjisë elektrike të tepërt, që për momentin për familjet e bën të paleverdisshëm investimin në sistemet fotovotaike.

Profesori Dragan Minovski thotë se teprica e energjisë elektrike, të cilën amvisëritë e prodhojnë dhe e dorëzojnë kur nuk kanë konsum në shtëpitë e tyre duhet të ketë një çmim të caktuar fiks, të garantuar, me të cilin shteti ose një kompani do ta blejë atë dhe që do të ishte pak më i lartë në krahasim me çmimin me të cilin furnizuesi aktualisht e blen nga Sh.A. ESM.

“Leverdia e instalimit të centraleve fotovoltaike varet nga konsumi vjetor i energjisë elektrike në amvisëri ose ndërtesë dhe varion nga 5,5 – 6, në 14-15, madje edhe deri në 18 vjet. Ato familje që kanë konsum të ulët të energjisë elektrike, deri në 5.500 kilovat orë në vit kanë një periudhë më të gjatë të kthimit të investimit. Për ata me konsum më të madh të energjisë elektrike, të cilën e përdorin edhe për ngrohjen e shtëpive me pompa termike ose kondicionere, leverdia është shumë më e lartë dhe kthimi i investimit është më i shpejtë”, thotë Minovski.

Qëllimi i analizës është që vendi të zvogëlojë varësinë e tij nga lëndët djegëse fosile dhe të jetë energjetikisht më i pavarur. Kjo, thonë nga “Eko Svest”, do të ketë jo vetëm përfitime ekologjike, por do të ndihmojë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës dhe stimulimin e rritjes ekonomike të vendit.

Nga organizata thonë se të gjitha përfundimet nga dokumenti tashmë i janë dërguar Qeverisë përmes një letre të hapur  në të cilën theksohet se ekzistojnë lëshime serioze në rregulloret ligjore, mospërputhshmëri të terminologjisë me teknologjitë dhe kapacitetet ekzistuese që janë në dispozicion dhe mospërputshmëri me akte të tjera ligjore dhe nënligjore, që paraqesin pengesë për qytetarët në shfrytëzimin e benefiteve nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. “Qytetarët duan të kenë njëfarë garancie se si do të jetë procedura administrative para se të fillojnë me investime në burime të ripërtëritshme të energjisë. Duan ta dinë nëse procesi do të jetë më i thjeshtë, cilat janë shpenzimet reale që do t’i kenë, të mos kenë frikë nga shpenzime të paparashikuara, por të gjitha të jenë publike dhe të përllogaritura. Në fund, mbështetja të jetë publike, jo vetëm nga institucionet, por edhe nëpërmjet linjave kreditore që i kanë bankat për amvisëritë për qëllime të këtilla”, thotë Elena Nikollovska nga Eko Svest.

Ajo thekson se ndër të tjera në dokument propozohet që Ministria e Ekonomisë ta ndryshojë Rregulloren për burimet e ripërtëritshme të energjisë, me çka do të rritet kufiri i fuqisë maksimale të centraleve fotovoltaike dhe do të ndryshohet formula e vlerësimit të energjisë së tepërt të prodhuar. Kjo do të bëhej në atë mënyrë që çmimi i blerjes së energjisë së tepërt nga sistemi fotovoltaik të jetë i njëjtë me çmimin me të cilin familjet blejnë energji elektrike nga furnizuesi universal. Gjithashtu propozohet që të merren parasysh të gjitha teknologjitë e disponueshme, si sistemet fototermale, të cilët prodhojnë në të njëjtën kohë energji elektrike dhe nxehtësi.

Megjithatë, Nikollovska thotë se deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet, as nëse pajtohen me këto rekomandime dhe as nëse e kanë pranuar letrën e hapur.