Digjitalizimi, shpresë e vetme për të përmirësuar transparencën institucionale në ekzekutivin e RMV-së

Transparenca e institucioneve në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivelin e dëshiruar sipas matjeve të fundit përmes Indeksit të Hapjes së Rrjetit ACTION SEE, ndonëse Qeveria e vendit në krahasim me ata të rajonit, sipas matjeve të fundit, është e pozicionuar më mirë. Në praktikë nuk po bëhet mjaftueshëm për transparencë më të madhe institucionale, pasi shpesh zotimet nga ana e autoriteteve ngelin vetëm fjalë pa rezultate në praktikë. Zgjidhja për këtë çështje shihet te digjitalizimi ndërsa së fundmi, vendi ka miratuar edhe Konceptin për transformim digjital të shoqërisë. Sesi do të ndikojë koncepti në përmirësimin e transparencës institucionale, Portalb.mk bisedoi me ekspertët e fushës dhe institucionet e përfshira në këtë koncept.

Qeveritë e rajonit, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës për sa i përket transparencës institucionale monitorohen nga Fondacioni për Shoqëri dhe Internet “Metamorfozis”. Matja e fundit sipas Indeksit të Hapjes tregoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është pozicionuar si institucioni më i hapur në mesin e qeverive të rajonit. Sipas monitorimit të fundit, për RMV-në, organet në përbërje të Qeverisë janë më të mbyllurat, me faktin se këtë vit ka kthesë ku institucioni më i hapur nga pushteti ekzekutiv nuk është më Qeveria (79.14). %), por Ministria e Mbrojtjes (89,72%).

Milla Josifovska-Danilovska nga “Metamorfozis” thotë se pozicioni i Qeverisë është vetëm për shkak të ruajtjes së konsistencës së praktikave të mira tashmë të krijuara, por jo edhe avancimit të tyre, si dhe regresionit të hapjes së qeverive të rajonit për shkak të proceseve të ndryshme politike.

Milla Josifovska Danillovska, foto: Vanço Xhambaski
Milla Josifovska Danillovska, foto: Vanço Xhambaski

“Sfidë e madhe ishte zbatimi i pjesshëm i Strategjisë së Transparencës 2019-2021, e cila ndër të tjera ishte për shkak të pandemisë që filloi disa muaj pas fillimit të saj, për shkak të së cilës prioritetet e të gjitha qeverive në botë u kthyen në zbutjen e pasojave të kësaj situate krize. Megjithatë, ky nuk është justifikim për të mos nxitur hapjen e institucioneve të pushtetit ekzekutiv, të cilat megjithatë kanë detyrime ligjore që rrjedhin nga politika dhe procese të ndryshme që kërkojnë praktikën e transparencës aktive”, thekson Josifovska-Danilovska.

Sipas saj, paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike në Ballkanin Perëndimor ka ndikuar në zhvillimin e politikave dhe kulturën e hapjes së qeverive. “Ndonëse qeveritë deklarativisht janë të përkushtuara në përmirësimin e hapjes dhe transparencës, në realitet shumë pak progres vihet re, që publiku të jetë në gjendje të kuptojë dhe monitorojë punën e autoriteteve.”

Josifovska-Danilovska thekson se në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se ka disa mekanizma për rritjen e transparencës ndaj publikut: Ligji për Qasje të Lirë në Informata Publike dhe mjeteve tjera për rritjen e transparencës së institucioneve: Transparenca Proaktive, Udhëzime për shpërndarjen Proaktive të Informacionit Publik për Zyrtarët ose udhëheqësit , Udhëzimet për përmirësimin e transparencës së institucioneve nga sektori publik, së shpejti pritet dhe Strategjia e re e Transparencës 2023-2026, nevojitet zbatimi më intensiv dhe më i përkushtuar, si dhe fuqizimi i rolit të qytetarëve me funksionin e tyre mbikëqyrës dhe aktiv në proceset e vendimmarrjes dhe krijimit të politikave.

“Edhe pse kemi bazë të mirë në letër për rritjen e hapjes së institucioneve ndaj qytetarëve, zbatimi praktik është shumë i rëndësishëm, i cili në realitetin tonë i është lënë vullnetit të individëve sepse nuk ndiqet në mënyrë sistematike dhe lëshimet dhe mosveprimet sipas rregullave të vendosura tashmë nuk sanksionohen. Në mënyrë deklarative, institucionet avokojnë për transparencë më të madhe, por në praktikë vetëm një pjesë e tyre publikojnë në mënyrë aktive të gjithë informacionin e nevojshëm për punën e tyre, dhe një pjesë edhe më e vogël e tyre në thelb i përfshijnë qytetarët në punën e tyre”, thekson Josifovska-Danilovska.

Sipas saj, investimi i vazhdueshëm në kapacitetet e brendshme është thelbësor për personat që kryejnë ofrimin e shërbimeve elektronike, në mënyrë që ata të mund t’u përgjigjen në mënyrë adekuate nevojave të qytetarëve.

Ligj ka, por zbatimi ngec

Në Maqedoninë e Veriut, në bazë të nenit 10 të Ligjit për Qasje të Lirë në Informata të Karakterit Publik, poseduesit e informacionit, në këtë rast institucionet publike janë të detyruar që të publikojnë informacione të natyrës publike në faqet e tyre të internetit, që të njëjtat të jenë të qasshme për publikun.

Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik thekson se nevoja për publikim proaktiv të informacionit nuk duhet të kufizohet nga institucionet poseduese të informacionit vetëm në informacionin që përmban neni 10 i ligjit.

Plamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga arkivi i saj privat ( e përdorur me leje)
Plamenka Bojçeva, drejtoreshë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga arkivi i saj privat ( e përdorur me leje)

“Aq më tepër që të gjitha informacionet e karakterit publik që ata kanë krijuar dhe disponojnë, duhet të publikohen në mënyrë proaktive në kohë në mënyrë që publiku të njihet me punën e institucioneve si shërbim ndaj qytetarëve”, thotë drejtoresha e kësaj Agjencie, Plamenka Bojçeva.

Qytetarët mund të parashtrojnë nëpër institucione kërkesë për qasje në informata të karakterit publik nëse të njëjtat nuk gjenden online. Ndërsa në rastet kur institucionet nuk u përgjigjen, qytetarët kanë të drejtë të ankohen në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Ku numri i tyre ndër vite është i lartë.

Numri i ankesave të parashtruara nga qytetarët në Agjenci, të cilat janë vetëm për shkak të mosveprimit të institucioneve shtetërore dhe për informacione që duhet të disponohen sipas nenit 10 të Ligjit për SPIJK-në, është i lartë, e njëjta mund të shihet në infografikun më poshtë.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Institucionet qeveritare të interesuara për transparencë përmes digjitalizimit, por ka vërejtje

Përshtypja e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik është se Qeveria dhe institucionet janë të përkushtuara për përmirësimin e transparencës institucionale përmes digjitalizimit, por duhet të punohet më shumë.

“Megjithatë, mbetet vërejtja se duhet të punohet më shumë në përmirësimin e transparencës institucionale të institucioneve, me qëllim që ato të punojnë në mënyrë më efikase dhe duke publikuar numër më të madh të informacioneve publike për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e tyre. Gjithmonë ka vend për përmirësim dhe transparencë në funksionimin e institucioneve”, tha Plamenka Bojçeva.

Agjencia në fjalë çdo vit vlerëson institucionet shtetërore dhe komunat për sa i përket transparencës së tyre. Siç sqarojnë nga Agjencia, në raportin e fundit nga monitorimi i institucioneve shtetërore, transparencën më të mirë proaktive e kanë treguar: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave.

“Vitin e kaluar, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave ishte ndër institucionet me nivel të ulët të transparencës, gjë që tregon se me publikimin e informacionit në mënyrë proaktive, poseduesit mund të rrisin proaktivitetin dhe llogaridhënien e tyre”, sqaroi Plemenka Bojçeva.

Nga Agjencia theksojnë se institucionet duhet të përmirësojnë dhe forcojnë sa më shumë proaktivitetin e tyre ndaj qytetarëve ndërsa informacioni që ata publikojnë duhet të vendoset në një baner/link të veçantë nën titullin LISTA E INFORMACIONIT/QASJE E LIRË NË INFORMACION, gjë që do ta vërë atë në dispozicion të kërkuesve dhe në këtë mënyrë reduktohet numri i kërkesave për qasje të lirë në informacione publike, pasi siç theksojnë në shumë ueb-faqe këto linqe janë vështirë të qasshme.

Në vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionin Publik, rreth 55% e 1445 mbajtësve/poseduesve nuk kishin uebsajtin e tyre, as link me faqen e internetit ku publikonin në mënyrë proaktive informacionin e përcaktuar publik.

“Këta janë kryesisht bartës më të vegjël si: organet në përbërje, institucionet shëndetësore, institucionet arsimore (kopshtet, shkollat ​​fillore dhe të mesme), ndërmarrjet publike dhe disa nga personat e tjerë juridikë dhe fizikë që ushtrojnë kompetenca publike dhe veprimtari me interes publik, dhe janë bartës të cilët janë të obliguar ta zbatojnë Ligjin, por nuk kanë uebfaqe të tyre dhe as nuk publikojnë informata nga fushëveprimi i tyre”, sqaruan nga Agjencia të cilët u rekomandojnë poseduesve të cilët nuk kanë uebfaqen e tyre deri në plotësimin e kushteve për të pasur uebfaqen e tyre, në bashkëpunim dhe marrëveshje me organet që i kanë themeluar ose që janë përgjegjëse për funksionimin e tyre, të publikojnë informacionin e tyre të përcaktuara me nenin 10 të Ligjit për faqet e internetit nga bartësit kompetent.

Koncept për transformimin digjital të shoqërisë dhe transparencë më të madhe institucionale

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 21 mars 2023 e miratoi Konceptin për transformim digjital të shoqërisë me qëllim të intensifikimit të aktiviteteve për transformim digjital të suksesshëm të shoqërisë, si parakusht për përparim edhe në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e transparencës dhe menaxhimit të mirë.

Një nga parimet themelore të këtij koncepti është edhe qasja e lirë në informacionet publike, ku dokumenti thekson:

  • Çdokush mund të qaset lirshëm dhe të përpunojë të dhënat e krijuara nga puna e administratës publike (të dhënat publike).
  • Mund të kufizohet me procedura ligjore qasje në të dhëna të caktuara publike (të dhëna personale dhe informacionet e klasifikuara). Të gjitha kufizimet në qasje në të dhënat publike mund të kundërshtohen në gjykatë.
  • Çdo institucion publik ka një faqe interneti të hapur përmes të cilës mund të kërkohet dhe të qaset lehtësisht në të gjitha të dhënat dhe dokumentet publike.
  • Gazeta Zyrtare është një sistem informimi që integron procesin e miratimit të ligjeve që nga fillimi i krijimit të tyre e deri te miratimi dhe publikimi i tyre. Sistemi është i hapur dhe ofron qasje falas në të gjitha rregulloret ekzistuese 24/7”.

Për të arritur qëllimet e përcaktuara nga Koncepti, do të krijohet Agjenci për Digjitalizim, e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin me mjedisin për shkëmbim të sigurt të të dhënave, vendosjen e standardeve për TIK dhe sigurinë kibernetike për të gjitha palët e prekura, duke ofruar udhëzime për menaxhimin e ndryshimeve në transformimin digjital të administratës dhe ngritjen e vetëdijes publike për këtë çështje.

Motivet e miratimit të këtij koncepti, siç sqarojnë nga Kabineti i zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska ishin të shumanshme dhe prekin shumë segmente të jetës shoqërore.

Sllavica Grkovska, foto: Vanço Xhambaski
Sllavica Grkovska, foto: Vanço Xhambaski

“Digjitalizimi mund të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien, duke e bërë atë një mjet të fuqishëm në luftën kundër korrupsionit. Lidhja e sistemeve të administratës publike dhe shkëmbimi i të dhënave në përputhje me ligjet, si për shembull informacioni nëse një person ka vdekur, do të kontribuojë në uljen e mundësive për keqpërdorime”, thanë nga kabineti i Grkovskës.

Për atë se cila është qasja dhe dinamika e këtyre aktiviteteve dhe cili institucion planifikohet të zbatojë ato, nga atje thonë se Kabineti me mbështetjen e Komponentit të Transformimit Digjital të Programit të Digjitalizimit dhe Rezistencës së Infrastrukturës Kritike (Critical Infrastrure Digitalization and Resilience – CIDR), financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), është duke përgatitur një Udhërrëfyes me plan veprimi për transformimin digjital, në të cilin do të prezantohen aktivitetet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për arritjen e synimeve të transformimit digjital të shoqërisë.

“Ekipi i Komponentit të Transformimit Digjital tashmë po punon me disa institucione pilot për të analizuar nevojat për digjitalizimin e plotë të proceseve të tyre të punës. Bëhet fjalë për Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Pasi të bëhen analizat në terren dhe të krijohet Udhërrëfyesi, do të mund të përgatisim një plan të detajuar veprimi për transformimin digjital të secilit institucion veç e veç”, sqaruan nga atje.

Ndërkaq, Këshilli Nacional për Transformim Digjital të Shoqërisë, i kryesuar nga zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, në mbledhjen e dytë shqyrtoi dhe miratoi draft konceptin për transformimin digjital të shoqërisë si drejtim i vërtetë për zhvillim të mëtejmë.

“Këshilli, në fushën e tij të punës, planifikon dhe propozon iniciativa dhe plane operacionale për transformimin digjital të shoqërisë. Anëtarë të Këshillit Nacional për Transformim Digjital të Shoqërisë janë ministrat e Punëve të Brendshme, Mbrojtjes, Shoqërisë Informative dhe Administratës, Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, si dhe përfaqësues nga komisionet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oda të tregtisë, nga sektori bankar, pushteti lokal dhe komuniteti akademik”, thanë nga Kabineti i Grkovskës.

Mila Josifovska-Danilovska nga “Metamorfozis” thekson se ky koncept është real dhe mund të vihet në praktikë, por se gjithçka varet nga faktorë të ndryshëm.

“Por zbatimi i tij varet nga disa faktorë, përfshirë angazhimin e institucioneve, burimet që kanë dhe situatën politiko-sociale. Ky koncept kërkon bashkëpunim me të gjitha institucionet, sektorin civil, sektorin e biznesit dhe akademinë, në mënyrë që të sigurohet transformim digjital i plotë, efektiv dhe gjithëpërfshirës që e vendos qytetarin në radhë të pare”, tha Josifovska-Danilovska.

Për këtë koncept, pritshmëri pozitive kanë edhe nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik.

“Sa i përket Konceptit të miratuar nga Qeveria, Agjencia vlerëson se në aspektin e qasjes së lirë në informacione të natyrës publike, e njëjta mund të shërbejë si bazë për hartimin e një dokumenti më konkret dhe më preciz që do të jetë në shërbim të qytetarëve”, tha drejtoresha e kësaj Agjencie.

Hapja përmes digjitalizimit ia mbyll derën korrupsionit

Qytetarët, pushteti ekzekutiv, bizneset korrupsionin e njohin si një nga problemet më të mëdha sociale. Një zgjidhje e mundshme e këtij fenomeni sipas Josifovska-Danilovskës shihet në shfrytëzimin e përfitimeve të transformimit digjital në drejtim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve që kontribuojnë në thelb në parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet.

“Transformimi digjital është thelbësor për përmirësimin e transparencës institucionale dhe komunikimit me qytetarët në një kohë kur kërkesat dhe pritshmëritë nga institucionet janë në rritje dhe burimet në dispozicion të tyre nuk janë në një nivel të lakmueshëm. Duke përdorur në mënyrë efektive teknologjitë digjitale, mund të krijohet një sistem i integruar i shërbimeve publike që do të mundësojë ofrim fleksibël, të përgjegjshëm dhe të sigurt të shërbimeve për të gjithë, si dhe komunikim të lehtë dhe transparent të dyanshëm midis qytetarëve dhe institucioneve”, tha Milla Josifovska-Danilovska.

Ndërkaq shton ajo, për të siguruar që vullneti politik të mos ndikojë negativisht në atë që është arritur deri më tani, duhet të punohet së bashku për të krijuar disa mekanizma kyç si: gjyqësori i pavarur, shoqëria civile aktive dhe media e pavarur, edukimi i qytetarëve për të drejtat e tyre si dhe zbatimi i mekanizmave të fortë të transparencës dhe llogaridhënies.

“Nëpërmjet të gjithë këtyre mekanizmave shteti mund të krijojë një sistem që është më rezistent ndaj tepricave të vullnetit politik dhe do të jetë më i aftë të mbrojë arritjet dhe progresin e arritur me kalimin e kohës”, thekson Josifovska-Danilovska.

Transformimi digjital sipas Kabinetit të Grkovskës ka potencialin të rrisë transparencën institucionale dhe të ndikojë ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit në disa mënyra. Megjithatë, theksojnë nga atje se vetëm transformimi digjital nuk është kurë/shërim për korrupsionin, ai duhet të shoqërohet me korniza të forta ligjore, zbatim efektiv dhe përkushtim ndaj udhëheqjes etike.

Strategji e re për probleme të vjetra

FondacioniMetamorfozis”, me përvojën nëntëmbëdhjetë vjeçare, përmes punës dhe anëtarësimit në rrjetet profesionale kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare promovon ndërtimin e një ekosistemi digjital gjithëpërfshirës si dhe reduktimin e fenomeneve negative sociale si korrupsioni.

Qeveria me mbështetjen e Fondacionit “Metamorfozis” aktualisht është duke e përfunduar Strategjinë e përgatitur për Transparencë të Qeverisë me Plan Veprimi (2023-2026), në drejtim të vazhdimit të praktikave pozitive të bashkëpunimit dhe transparencës aktive të përcaktuara nga Strategjia e mëparshme. Me krijimin e këtij dokumenti strategjik do të funksionalizohen dhe përmirësohen rregullat e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve dhe parimi i transparencës.

Nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik theksojnë se strategjia e Qeverisë për Transparencë (2023-2026) përcakton në mënyrë gjithëpërfshirëse detyrimet dhe kompetencat e nevojshme për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në një nivel të duhur, i cili do të mundësojë përgjegjësi më të madhe ndaj qytetarëve.

Me zbatimin e tij, transparenca dhe publikimi proaktiv i informacionit pritet të jetë shtyllë në funksionimin e përditshëm të institucioneve shtetërore, e në këtë mënyrë qasje më e shpejtë në informacione të natyrës publike.

“Janë planifikuar disa aktivitete që do të lehtësojnë qasjen në informacionin publik përmes digjitalizimit, përmes: Vendosjes së standardeve për sigurimin e transparencës dhe hapjes minimale në ueb faqet e institucioneve. Faqet e internetit që janë krijuar për t’u unifikuar dhe përmbajnë një format të caktuar për informacion më të qasshme, si dhe standardin WCAG 2.0 për qasjen për personat me aftësi të kufizuara. Harmonizimi i ueb faqeve të institucioneve sipas standardeve të përcaktuara. Krijimi i ueb faqeve për institucionet që nuk kanë një të tillë”, sqaroi Plamenka Bojçeva.

Përndryshe, Portalb.mk dhe Meta.mk tani e një kohë të gjatë shkruajnë për problemet në fushën e transformimit digjital si dhe transparencën institucionale.

Përgatitja e tekstit është në kuadër të sinergjisë ndërmjet projekteve “Përdorimi i Mediave të Reja për Promovimin e Transparencës Qeveritare”, i financuar nga Fondi Kombëtar për Demokraci dhe “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV”, i financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni, të cilat i zbaton Fondacioni Metamorfozis.