Me buxhetin e ri planifikohet rritje e pagës për 6.5 përqind në Maqedoninë e Veriut

Ministrja për Financa në Maqedoninë e Veriut, Gordana Dimitrieska – Koçoska në debatin e Komisionit të Financave dhe Buxhetit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ka paralajmëruar edhe rritje të rrogës mesatare, transmeton Portalb.mk.

“Trendet pozitive do të reflektohen edhe në tregun e punës – pritet rritje e punësimit dhe rritje e pagës mesatare neto për 6.5%, si rezultat i hapjes së kapaciteteve të reja të prodhimit, zgjerimit të atyre ekzistuese, si dhe masave dhe programeve aktive të punësimit të zbatuara nga Qeveria”, deklaroi Dimitrieska – Koçoska.

Ministrja vlerësoi se ekonomia pritet të përshpejtohet me rritje reale të PBB-së për 3.8 përqind, ndërsa deficiti buxhetor pritet të jetë 3.5 përqind e PBB-së.
“Të hyrat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2026 janë planifikuar në nivel prej 374.9 miliardë denarëve, ndërsa ana e të ardhurave është projektuar me kujdes për të siguruar kornizë të qëndrueshme financiare në kushtet e pasigurisë globale. Shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 414.2 miliardë denarëve”, sqaroi ministrja.

Në planifikimin buxhetor janë parashikuar 2.6 miliardë denarë për personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës minimale.

Sipas Propozimit, shpenzimet për pagesën e pagave janë 52.6 miliardë denarë, që është rreth 3 miliardë denarë më shumë se në vitin 2025. Për pagesën e pensioneve janë siguruar 116.8 miliardë denarë, duke përfshirë rritjen për vitin 2026, sipas vendimeve ligjore. Janë siguruar 12 miliardë denarë për pagesën e kompensimeve të mbrojtjes sociale për kategoritë më të ndjeshme”, sqaroi ministrja.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më 4 nëntor njoftoi se projektbuxheti për vitin 2026 do të paraqitet në seancë plenare më 9 dhjetor.

Më 28 tetor, propozim-buxheti për vitin 2026-të u miratua nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ky plan u propozua nga ministrja e financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska.