Me 25 janar fillon “Festivali Poetik i Prishtinës”, dita e parë i kushtohet poezisë shqipe të Maqedonisë së Veriut
Nga 25 deri më 29 janar në Prishtinë do të mbahet edicioni tretë me radhë i “Festivalit Poetik të Prishtinës” në organizimin e Portalit për Kulturë, Letërsi dhe Art, ObserverKult dhe nën kujdesin dhe drejtimin e shkrimtares së njohur Donika Dabishevci, transmeton Portalb.mk.
Nga ObserverKult bëjnë të ditur se dita e parë e Festivalit do t’i kushtohet në tërësi poezisë shqipe në Maqedoni të Veriut përmes një homazhi artistik për poeten e ndjerë Linditë Ahmeti, debate dhe mendime kritike për poezinë shqipe në këtë shtet, si dhe Ora e Madhe Poetike të 15 poetëve më të spikatur mes tyre emra të vjetër dhe më të rinj poetik.
Dita e parë e Festivalit Poetik të Prishtinës do t’i kushtohet në tërësi Letërsisë Shqipe në Maqedoninë e Veriut, kësaj pjese integrale të letërsisë shqipe e cila pavarësisht kushtëzimeve kontekstuale, trysnisë, nëpërkëmbjes, anatemimit dhe persekutimit të vazhdueshëm nga pushtetet, nxori në pah autorë me vetëdije të lartë krijuese që na lanë trashëgimi vepra pashmangshëm referenciale për nga vlerat ideo-estetike. Kështu, më 25 janar, Festivalin Poetik të Prishtinës do të hapet me një Homazh artistik në nderim të poetes Lindita Ahmeti, për të vazhduar me pjesën e dytë ku do të shpaloset mendimi kritik e studimor për Letërsinë shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe tutje në pjesën e tretë me Orën e madhe poetike.

Më tej përmenden emrat e shkrimtarëve, studiuesve dhe poetëve të ftuar nga Maqedonia e Veriut si dhe dy artistëve muzikor.
Nga ObserverKult kanë thënë se kanë kënaqësinë t’i kenë në mesin e tyre poetët e studiuesit: Ali Aliu, Agim Vinca, Nehas Sopaj, Punëtorie Muça Ziba, Lulëzim Haziri, Shaip Emërllahu, Shazim Mehmeti, Vjollcë Berisha, Xhabir Ahmeti, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu, Bardhyl Zaimi, Nurie Emrullai, Xhemazije Rizvani, Arlind Farizi, Fatos Rushiti, Valdeta Dulahi, Ismail Arsllani, shoqëruar nga artistët: Fitnete Tuda e Astrit Stafai.
Programi i ditës së parë, më 25 janar, fillon në ora 13:00 dhe mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ndërsa në katër ditë tjera Festivali mbahet në Termokiss dhe fillon nga ora 18:00.
Në Ditën e dytë të festivalit janë të ftuara poetet: Ledia Dushi, Manjola Brahaj dhe Arjola Zadrima për lexime poetike e diskutime.
Ismet Kallabën nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” e Ulqinit me të cilin do të debatojmë për “Decentralizimin dhe demetropolizimin e kulturës”.
Do ta përurojnë romanin e Ahmet Selmanit “Bërja e shkretëtirës” për të cilin do të flasin Zyrafete Shala dhe Hajriz Sejdiu.
Mr.Indefinite do të paraqitet me video-performancën “Labirinti i barazisë”, ndërsa Genc Krasniqi do të kujdeset për pjesën muzikore.