Mbrëmë ngriti siparin Fest 63, 15 artistë prekën skenën magjike, Slimane dhe Noizy të ftuar specialë
Në Pallatin e Kongreseve në Shqipëri mbrëmë u mbajt nata e parë e Festivalit të 63 të Këngës, një mbrëmje unike muzikore me vlera kombëtare organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar. Një mbrëmje muzikore e shumë pritur jo vetëm brenda vendit, por edhe në trojet shqiptare, si dhe në diasporë, transmeton Portalb.mk.
Fest 63 u hap me këngën “Fëmija e parë” një këngë e gdhendur në fundin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, e cila është kënduar nga Vaçe Zela, dhe është sjellë me mjeshtëri nga Drejtoresha Artistike e Fest 63, Elhaida Dani, e cila ishte e shoqëruar nga një grup fëmijësh.
Në natën e parë u paraqitën 15 këngëtarë në garë, të cilët interpretuan drejtpërdrejtë skenën magjike të Fest 63, me skenografi të Albi Çifligut, shoqëruar nga Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, drejtuar nga disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani. Ndërsa bendi drejtohet nga kantautori Elton Deda.
Nata e parë ishte e mbushur edhe me emocione jashtë garës së konkurrimit. Reperi i njohur shqiptar, Noizy, ishte pjesë e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH, por jo si konkurrent. Artisti i njohur u ngjit në skenën prestigjioze të Festivalit si i ftuar special i natës së parë, ku performoi së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.
Gjithashtu pjesë e natës së parë ishte edhe këngëtari i famshëm francez Slimane si i ftuar special, duke sjellë një performancë që ishte një nga momentet kulmore të festivalit. Ai përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën e tij “Mon Amour”, një hit që pas suksesit në Eurovizion bëri jehonë ndërkombëtare.
Këngëtarët në garë në natën e parë të Fest 63 ishin: Orgesa Zaimi, Erma Mici, Luna Çausholli, Ronaldo Mesuli, Mihallaq Andrea, Kejsi Jazxhi, Lorenc Hasrama, Jet, Djemtë e Detit, Nita Latifi, Martina Serreqi, Alis, Shkodra Elektronike, Kleansa Susaj dhe Ardit Çuni.
Një juri profesioniste do të vlerësojnë 30 konkurrentët e Fest 63, duke përzgjedhur më pas artistët që do të shkojnë në natën finale të Festivalit. Kryetare e jurisë është artistja Zana Çela, ndërsa anëtarë janë Alma Bektashi, Ylljet Aliçka, Merita Rexha Tërshana, Florent Boshnjaku, Jonida Maliqi, Ramona Tullumani.
Votat e jurisë do të përcaktojnë finalistët, kush do të kalojë në natën finale, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut. Në këtë edicion do të ketë vetëm një fitues që do të jetë edhe kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion.
Për herë të parë në këtë edicion të 63 të Festivalit të Këngës do të mblidhet edhe vota e diasporës, por mënyra e votimit do të bëhet me dije në natën finale.
Surprizat që do të shoqërojnë këtë edicion të sivjetshëm do të zbulohen pas çdo mbrëmje, deri në natën finale me shpalljen e fituesit të Fest 63, i cili do te siguroje edhe biletën në Eurovizion i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Zvicër.