Mbrëmë filloi festivali DokuFest, pjesë e edicionit jubilar edhe një film nga Maqedonia e Veriut

Me filmin “Phenomena” të regjisorit Josef Gatti, mbrëmë në kinemanë e hapur mbi lumin Lumbardhi në Prizren ka nisur edicioni jubilar, i 25-të, i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe në rajon, shkruan Portalb.mk.

Në programin e ditës së parë ishte edhe filmi “Zëri i Hind Rajab” (“The Voice of Hind Rajab”), i cili solli historinë prekëse të 6-vjeçares palestineze Hind Rajab, e cila humbi jetën pasi mbeti e bllokuar në një automjet nën zjarr në Gaza.

Drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari, për Portalb.mk tha se vetë fakti që festivali ka arritur në edicionin e 25-të e bën këtë vit të veçantë, ndërsa si një prej risive kryesore veçoi programin VR, i cili për herë të parë bëhet pjesë e festivalit.

“Vetë fakti që festivali shënon edicionin jubilar, të 25-të, e bën atë mjaft të veçantë. I gjithë programi në fakt është risi, por nëse më duhet të veçoj një, atëherë është programi VR me 4 filma, një risi që po ndodh për herë të parë në DokuFest. Po, janë gjithsej 223 filma në 8 kategori garuese dhe në mbi 15 kategori të kuruara enkas për këtë edicion të festivalit. Disa nga kriteret kryesore janë që filmat të mos jenë më të vjetër se një vit për kategoritë garuese, të sjellin frymë dhe ide të reja kinematografike, si dhe disa kritere të tjera teknike. Por gjithsesi, kriteri kryesor për të qenë pjesë e festivalit mbetet cilësia e filmit/ave, tha Nurkollari.

Foto nga ceremonia e hapjes së festivalit DokuFest. Foto: Veton Nurkollari
Foto nga ceremonia e hapjes së festivalit DokuFest. Foto: Veton Nurkollari

‘The Tale of Silyan’ nga Tamara Kotevska është filmi i vetëm nga Maqedonia e Veriut në DokuFest këtë vit dhe është në garë për çmimin e publikut”, tha Nurkollari.

“Nga Maqedonia e Veriut në festival këtë vit është vetëm një film, ‘The Tale of Silyan’ nga Tamara Kotevska. Filmi është në garë për çmimin e publikut, së bashku me edhe 9 filma të tjerë. Në kuadër të Short Film Forum është po ashtu një projekt nga Maqedonia e Veriut, me titull ‘Grasshoppers’ nga Hanis Bagasho”, tha Nurkollari.

Me programin e pasur filmik dhe aktivitetet përcjellëse, DokuFest pritet që edhe këtë vit ta mbajë Prizrenin në qendër të vëmendjes kulturore të rajonit deri më 15 gusht, kur do të shpallen fituesit e edicionit të 25-të.

Foto nga ceremonia e hapjes së festivalit DokuFest. Foto: Veton Nurkollari
Foto nga ceremonia e hapjes së festivalit DokuFest. Foto: Veton Nurkollari