Burhan Ahmeti: Arti bëhet më i gjallë kur arrin të krijojë tension mes së kaluarës dhe së tashmes, duke ruajtur thelbin e trashëgimisë

Në një kohë kur arti po lëviz mes rrënjëve dhe globales, mes kujtesës dhe sfidës së së tashmes, artistët që arrijnë të ndërtojnë dialog të vërtetë mes këtyre dimensioneve bëhen zëra të rëndësishëm të skenës bashkëkohore. Një prej tyre është edhe Burhan Ahmeti, krijimtaria e të cilit ndërthur identitetin, etnografinë dhe një gjuhë universale artistike që komunikon përtej kufijve. Në një bisedë për Portalb.mk, ai foli për raportin mes traditës dhe modernes, rolin e artistit sot dhe sfidat e skenës artistike në vend dhe më gjerë.

Portalb.mk: Kur një artist vjen nga një hapësirë me kujtesë të fortë kulturore, si e ruani ekuilibrin mes identitetit shqiptar dhe gjuhës universale të artit?

Burhan Ahmeti: Ekuilibri mes identitetit shqiptar dhe gjuhës universale të artit për mua nuk është një kompromis, por një dialog i vazhdueshëm. Vij nga një hapësirë me kujtesë të fortë kulturore, ku tradita, simbolika dhe rrëfimet janë shumë të pranishme. Këto elemente nuk i shoh si kufizim, por si një burim të pasur frymëzimi.

Përmes artit tim përpiqem ta përkthej këtë identitet në forma dhe koncepte që komunikojnë përtej kufijve kulturorë. Pra, nuk është thjesht çështje përfaqësimi, por transformimi, duke e ruajtur thelbin, por duke e shprehur atë përmes një gjuhe vizuale që mund të kuptohet nga një publik më i gjerë.

Besoj se arti bëhet më i fuqishëm pikërisht kur ka një histori dhe identitet të pasur, por njëkohësisht i hapur dhe i lexueshëm në mënyrë universale. Në këtë mënyrë, identiteti shqiptar nuk humbet, por bëhet pjesë e një rrëfimi më të madh.

Portalb.mk: Veprat tuaja shpesh lidhen me kujtesën, etnografinë dhe trashëgiminë; a mendoni se arti sot duhet më shumë të ruajë shpirtin e një populli apo të sfidojë kohën në të cilën jeton?

Burhan Ahmeti: Unë nuk i shoh këto dy role si të ndara, por si të ndërthurura thellë me njëra-tjetrën. Arti, në thelb, ka përgjegjësinë të ruajë shpirtin e një populli, kujtesën, rrënjët, simbolikën që na formëson si identitet. Por në të njëjtën kohë, ai nuk mund të mbetet vetëm në funksionin e ruajtjes, duhet edhe të jet ajtiv duke e sfiduar realitetin në të cilin jetojmë.

Përmes artit tim, përpiqem që kujtesa dhe etnografia të mos mbeten thjesht dokumentim nostalgjik, por të shndërrohen në një mjet reflektimi për të tashmen. Pra, nuk është vetëm “çfarë kemi qenë”, por edhe “çfarë po bëhemi”.

Mendoj se arti bëhet më i gjallë kur arrin të krijojë këtë tension mes së kaluarës dhe së tashmes, duke ruajtur thelbin e trashëgimisë, por njëkohësisht duke e vënë atë në dialog me sfidat dhe pyetjet e kohës sonë.

Foto nga arkivi personal i piktorit Burhan Ahmeti. Foto: Burhan Ahmeti
Foto nga arkivi personal i piktorit Burhan Ahmeti. Foto: Burhan Ahmeti

Portalb.mk: Kur ekspozoni para një publiku ndërkombëtar, çfarë doni që ata të lexojnë së pari në punën tuaj: artistin, kombin apo njeriun?

Burhan Ahmeti: Para një publiku ndërkombëtar, dëshira ime e parë është që ata të lexojnë njeriun. Sepse përtej çdo identiteti, artistik apo kombëtar, ekziston një përvojë njerëzore që është e përbashkët për të gjithë ne. Nëse krijohet një lidhje emocionale, atëherë artisti dhe konteksti kulturor zbulohen natyrshëm më pas. Identiteti im është i pranishëm, por jo si etiketë, ai jeton brenda vetë veprës.

Portalb.mk: Çfarë i mungon më shumë skenës sonë artistike: institucioni, kritika profesionale apo publiku që di ta lexojë artin?

Burhan Ahmeti: Mendoj se institucionet pa kritikë të mirëfilltë mbeten të mbyllura, kritika pa publik humbet ndikimin, ndërsa publiku pa edukim artistik e ka të vështirë ta lexojë veprën. Kur këto funksionojnë së bashku, skena artistike bëhet vërtet e gjallë.

Portalb.mk: Duke qenë se keni krijuar edhe një platformë si simpoziumi ndërkombëtar në Strugë, a mendoni se sot artisti i madh nuk mjafton vetëm të pikturojë, por duhet edhe të ndërtojë ura mes artistëve dhe kulturave?

Burhan Ahmeti: Roli i një artisti figurativ shkon përtej aktit të krijimit të një vepre arti. Të pikturosh mbetet thelbësore, por në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, artisti ka edhe një përgjegjësi tjetër: të krijojë hapësira ku arti mund të ndajë ide, përvoja dhe kultura. Ndërtimi i urave mes artistëve nuk është vetëm një shtesë, por një mënyrë për ta bërë artin më të gjallë dhe më relevant.

Në këtë kontekst, simpoziumi ndërkombëtar i artit në Strugë që po organizoj është pikërisht një platformë e tillë. Ai nuk është vetëm një event krijimi apo ekspozimi, por një hapësirë takimi, dialogu dhe bashkëkrijimi mes artistëve nga kontekste të ndryshme kulturore. Përmes këtij shkëmbimi, secili artist pasurohet, ndërsa publiku fiton një perspektivë më të gjerë mbi artin bashkëkohor. Besoj se këto iniciativa krijojnë një energji të re në skenën artistike, duke e ndërmbëtarizuar dhe duke e vendosur artin në një rrjet më të hapur komunikimi. Në fund, arti nuk është vetëm ajo që krijojmë në studio, por edhe hapësirat që ndërtojmë për ta ndarë dhe zhvilluar atë së bashku.

Foto nga arkivi personal i piktorit Burhan Ahmeti. Foto: Burhan Ahmeti
Foto nga arkivi personal i piktorit Burhan Ahmeti. Foto: Burhan Ahmeti

Portalb.mk: Si e shihni gjendjen e artit vendor sot: a kemi zhvillim të vërtetë apo vetëm lëvizje të dukshme në sipërfaqe?

Burhan Ahmeti: Gjendja e artit në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon njëkohësisht ka edhe zhvillim, edhe lëvizje sipërfaqësore. Ka energji të reja, artistë që eksperimentojnë dhe kërkojnë gjuhë të reja shprehjeje, që është një shenjë pozitive. Por shpesh ky zhvillim mbetet i fragmentuar dhe jo gjithmonë i mbështetur nga struktura të qëndrueshme. Pa një bazë të fortë institucionale, kritikë profesionale dhe një publik të edukuar, shumë iniciativa rrezikojnë të mbeten në nivel dukshmërie, pa thellësi afatgjatë. Pra, potenciali ekziston, por sfida është ta kthejmë këtë energji në zhvillim të qëndrueshëm dhe me ndikim real.

Portalb.mk: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? A po punoni për ndonjë ekspozitë të re, në cilin drejtim mendoni ta çoni më tej krijimtarinë tuaj në vitet që vijnë?

Burhan Ahmeti: Aktualisht ndodhem në Poloni, në kuadër të një bashkëpunimi ndëruniversitar me Fakultetin e Arkitekturës dhe Dizajnit në Universitetin e Teknologjisë në Koszalin. Gjatë kësaj periudhe do të kem një prezantim para studentëve, ku do të ndaj përvojën time artistike dhe qasjen ndaj krijimtarisë.

Njëkohësisht, jam pjesëmarrës në një ekspozitë ndërkombëtare të artit “PROCESSUS” që do të mbahet në Galerinë e Amfiteatrit në Koszalin me 14 prill, e cila përfaqëson një mundësi të mirë për dialog dhe shkëmbim me artistë nga kontekste të ndryshme.

Prej këtu vazhdoj në Belgjikë në qytetin Gent ku jam pjesëmarrës në një ekspozitë tjetër ndërkombëtare të artit me titull “Fusion” ku do jemi tre artistë shqiptarë pjesëmarrës, bashkë me kolegët Adem Dërmaku dhe Berat Zulbehari.

Sa i përket së ardhmes, synimi im është të vazhdoj të zhvilloj më tej këtë ndërthurje mes identitetit, kujtesës dhe qasjes bashkëkohore, duke e zgjeruar praktikën time si në planin konceptual, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.