Mbi një mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut morën pjesë në ankandin e Ministrisë së Financave për fletobligacione

Ministria për Financa në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar që në procesin për emetimin e fletobligacioneve të qytetarëve kanë marrë pjesë 1 283 qytetarë me një vlerë rreth 1.5 miliard denarë, transmeton Portalb.mk.

“Në ankand morën pjesë 1.283 qytetarë, të cilët kanë paguar mjete me vlerë prej 1.448.030.000 denarëve. Vlera minimale që qytetarët mund ta paguanin për të marrë pjesë në ankand ishte 10.000 denarë, përmes parashtrimit të kërkesës për blerjen e fletobligacionit të qytetarëve”, raportoi Ministria e Financave.

Fatmir Besimi, ministri i financave, ka vlerësuar që ky proces është zhvilluar me një interesim të madh të qytetarëve, ndërsa ky proces do të sjellë rrite të ekonomisë vendase.

“Rendimenti në bazë të interesit do t’u paguhet qytetarëve më datë 20 korrik të vitit 2024 për vitin e parë dhe më datë 20 korrik të vitit 2025 për vitin e dytë, atëherë kur do t’u kthehet edhe e gjithë vlera e investuar. Kjo do të thotë se qytetarët që kanë investuar në fletobligacione të qytetarëve do të marrin rendimet të përgjithshëm prej 10% të vlerës së investuar”, sqaroi Besimi.

Ai premtoi që ky investim i qytetarëve në produkt është pa rrezik, i sigurt dhe produktiv, në kohën e inflacionit.

“Kjo do të ndikojë edhe mbi uljen e ekonomisë gri, sepse do t’i aktivizojë parat e gatshme që qytetarët i ruajnë jashtë sistemit”, deklaroi Besimi, duke sqaruar që nuk ka pasur kufi maksimat të investimeve.