Mbi arsyen dhe frikën

Një ditë duke ecur në rrugët e qytetit pashë një bilbord me nje afish të vendosur nga Ministria e shëndetësisë ku bëhej thirrje për prindët që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Nuk e mendoja që problemi i mosvaksinimit të fëmijëve kishte arritur deri në atë shkallë sa që me kampanja dhe afishe të nxitet një proces që duhet të jetë shumë normal dhe i bazuar në racionalitet dhe jo në spekulime. Por ja që punët paskan ecur aq keq sa që autoritetet shëndetësore përveç kampanjave për ngritje të vetëdijes, kishin ndërmarë edhe hapa të tillë si vaksinimi mobil i popullatës. Ekipe mjekësore kanë dalë ne teren dhe trokasin derë më derë për të vaksinuar fëmijët të cilët si pasojë e prindërve shumë të ditur dhe Google doktorëve, në shekullin e XXI rrezikohen nga sëmundje të cilat kanë dekada që janë çrrënjosur si rezultat i vaksinimit kundër tuberkulozit, difterisë, pertuzisist, polios dhe morbilit.

Nga një hulumtim i shpejtë kuptova që përqindja e fëmijëve të vaksinuar në vendin tonë po bie nga viti në vit, gjë që i sqaron kampanjat dhe afishet e ngjitura me qëllim vetëdijësimi. Mjaftoi vetëm një studim kontrovers i disa viteve më parë që e lidhi vaksinën kundër morbilit me autizmin dhe lajmi morri dhenë me pasoja fatale. Në vitet 2018 dhe 2019, para pandemisë me Covid-10, Maqedonia e Veriut u godit nga epidemia e fruthit apo sëmundjes Morbili, për të cilën ekziston vaksina, por nga kjo vaksinë prindërit frikësohen më së shumti duke dyshuar se e njëjta shkakton autizëm. Si pasojë e frikës nga kjo vaksinë, në atë periudhë kohore u sëmurën rreth 2000 veta nga një sëmundje për të cilën kishte shpëtim. Për më tepër, si pasojë e kësaj sëmundjeje vdiqën katër fëmijë nga mosha 5 muaj e gjysmë deri në 13 muaj. Katër fëmijë, vdiqën të infektuar nga kjo sëmundje në moshën kur ata ende nuk mund të merrnin vaksinën për t’i mbrojtur ata. Këta fëmijë vdiqën si pasojë direkte e refuzimit të prindërve të tjerë që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, me çka kontribuan që kjo sëmundje të përhapet dhe të godasë ata që ishin më të pambrojtur dhe më të pafajshëm. Kjo është vërtet skandaloze!

Problemi me anti-vakserët nuk është individual por është problem kolektiv. Unë e kuptoj tendencën për të mbrojtur të drejtat individuale të njeriut, por duhet pasur parasysh që e drejta jonë individuale mbaron aty ku fillon e drejta individuale e tjetrit. Duke dashur që t’i mbajnë fëmijët e tyre të pavaksinuar (edhe përkundër faktit që ata vetë si prindër pa dyshim që kanë pranuar vaksina kur kanë qenë të vegjël, sepse kanë jetuar në një sistem tjetër që nuk ka çarë fort kokën për të drejtat e individëve veçanërisht kur bëhet fjalë për interesin publik), këta prindër e cënojnë të drejtën e fëmijëve tjerë, prindërit e të cilëve nuk janë anti-vakserë dhe duan që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre, por këtë nuk mund ta bëjnë para se fëmijët të arrijnë në moshën e caktuar. E kuptoni sa e padrejtë është për një prind ta humbasë fëmijën e vetë gjashtëmuajsh për shkak se një prind tjetër ka refuzuar ta vaksinojë fëmijën e vetë për shkak të besimeve të paverifikuara?

Për më tepër, argumenti kryesor i anti-vakserëve është se në kushte të imunitetit të masës, fëmijët e tyre janë të mbrojtur nga sëmundjet edhe pse nuk janë të vaksinuar. Por në fakt, imuniteti i masës ka sukses kur mbi 95% e popullatës është e vaksinuar. Në Maqedoninë e Veriut në vitet e fundit përqindja e popullatës së vaksinuar është nën 90%, që do të thotë se foshnjat që lindin janë të ekspozuara në reziqe të shumta dhe mund të vdesin nga sëmundje të cilat janë të shërueshme, krejt kjo për shkak të papërgjegjësisë së dikujt që mendon vetëm për veten dhe nuk mendon për të tjerët.

Njeriu nuk sillet gjithmonë në mënyrë racionale, edhe pse është pikërisht arsyeja ajo që e dallon atë nga qeniet tjera në këtë botë. Kështu, arsyeja bie shpesh pre e frikës. Prindërit frikësohet më shumë nga vaksina, se sa nga vetë sëmundja që ajo vaksinë e parandalon, dhe kështu bëhen shkas që të tjerët të sëmuren dhe foshnjat të vdesin më kot. Thonë që frika i mbron vreshtat, por njëherit thonë që gjërat e mira janë një hap përtej frikës. Interesi publik nuk guxon të bëhet pre e frikës iracionale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.