Qeveria e RMV-së fillimisht do të analizojë dhe më pas do të ndalojë importin e automjeteve nën standardin EURO 5

Ndalimi i paralajmëruar prej kohësh i importit të automjeteve të përdorura me standardin e emetimeve nën EURO 5 në vend do të presë edhe pak kohë për t’u përmbushur. Qeveria bën me dije se fillimisht do të bëhet një analizë, e më pas do të merret vendimi për ndalimin e importit, të cilin e kishte premtuar ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në fillim të vitit 2021, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria e RMV-së për Meta.mk kanë thënë se në kuadër të Ministrisë së Financave ka filluar përgatitja e analizës për automjetet dhe reformat e tatimit të automjeteve, të cilën e koordinon Banka Botërore.

“Sipas Analizës nga e cila duhet të dalë një Plan aksional, në të cilin do të duhet të përcaktohet saktësisht periudha e heqjes së standardit EURO 4 për automjetet dhe futjes së standardit EURO 5. Në bazë të këtij Plani aksional, Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të duhet të marrë vendim për ta ndërmarrë dhe zbatuar atë”, njofton Qeveria e RMV-së.

Për këtë temë Meta.mk kërkoi përgjigje edhe nga Ministria e Ekonomisë, por nuk morën sqarime se çfarë aktivitetesh po ndërmerr kjo ministri për përgatitjen e procedurës së përgjithshme lidhur me ndalimin e importit të veturave nën standardin EURO 5. Megjithatë, në pyetjen drejtuar në këtë ministri në fillim të vitit, u tha se vendimi për ndryshimin e nivelit të shkarkimit të gazrave të shkarkimit për automjetet do të duhej të vinte nga qeveria, ndërsa ata si ministri duhet vetëm ta zbatojnë atë me ndryshimin e rregullores.

Përndryshe, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi fillimisht deklaroi më 26 janar 2021 se pikërisht atë vit do të duhet të rritet standardi për importin e automjeteve në vendin tonë, gjegjësisht do të ndalohet importi i automjeteve nën standardin EURO 5. Deklarata e atëhershme e ministrit Bekteshi nuk u realizua deri në fund të vitit 2021, as nuk u zbatua nga Qeveria e RMV-së gjatë vitit 2022, ndërsa nuk ka informacion të detajuara se kur do të zbatohet në vitin 2023.

Ndërkohë, importet e automjeteve të përdorura vijojnë të rriten me ritme të pandalshme. Vitin e kaluar në vend janë importuar gjithsej 25.513 automjete të përdorura, ku pjesa më e madhe prej tyre – 23.381 ishin vetura. Sipas të dhënave nga Drejtoria doganore e RMV-së, nga liberalizimi i masave për import të automjeteve të përdorura në periudhën 2009-2022, në Maqedoni janë importuar 429.129 vetura, autobusë dhe kamionë të vjetër.

Infografik për automjetet e importuara në RMV nga viti 2009 deri në vitin 2022. Infografik: Meta.mk
Infografik për automjetet e importuara në RMV nga viti 2009 deri në vitin 2022. Infografik: Meta.mk

Pushteti i atëhershëm i VMRO-DPMNE-së, para fillimit të lehtësimit të masave për importin e automjeteve në vitin 2009, si një nga arsyetimet kryesore që jepte për futjen e kësaj politike, ishte se parku i automjeteve të qytetarëve të Maqedonisë do të të rinovohet. Megjithatë, ky arsyetim kishte bazë reale vetëm për disa vite.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për të tretin vit radhazi, gjegjësisht për periudhën 2018-2021, tregojnë se mosha mesatare e flotës së automjeteve në vend është rritur në mbi 19 vjet. Në të kundërt, përpara se qeveria e paraprake të lehtësonte importin e automjeteve të përdorura në vitin 2009, mosha mesatare e automjeteve në vitin 2008 ishte 15.4 vjeç.

Numri i automjeteve në rrugë është rritur në mënyrë dramatike vitet e fundit, gjë që ndikon negativisht si në cilësinë e ajrit në qytetet më të mëdha të Maqedonisë, ashtu edhe në rritjen e bllokimit të trafikut, mungesën e hapësirave për parkim dhe uzurpimin e hapësirës publike nëpërmjet shkatërrimit të sipërfaqeve të gjelbra dhe parkimeve të paligjshme në trotuare, rrugë dhe sheshe.

Rezultati përfundimtar i problemeve të tilla urbane të shkaktuara nga fluksi i automjeteve të përdorura është nevoja për investime të konsiderueshme nga autoritetet komunale për zgjidhjen e sfidave të krijuara rishtazi, si pasojë e rritjes së automjeteve në rrugë.