Mbi 620 mijë udhëtarë në 8 muaj në Portin e Durrësit

623 mijë udhëtarë zgjodhën tragetet e linjave të lundrimit nga Durrësi drejt porteve të Italisë dhe anasjelltas gjatë periudhës Janar-Gusht për të hyrë apo dalë nga vendi ynë, raporton Klan.  Nga statistikat operative të Autoritetit Portual, mësohet se kanë qenë 27 mijë 533 pasagjerë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje me 5% më shumë.

Një rritje e konsiderueshme e udhëtarëve është reflektuar përgjatë muajit Gusht ku nga kjo pikë kufitare hynë dhe dolën rreth 256 mijë shtetas, 3 mijë e 600 më shumë se gushti i vitit të kaluar.

Mes bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë jashtë kufijve, shumë shtetas të huaj zgjodhën rrugën detare për të hyre në vendin tonë, kryesisht për qëllime turizmi.

Gjithashtu përgjatë kësaj periudhe rritja është reflektuar dhe në numrin e automjeteve, trailerave dhe kamionëve të përpunuar në Terminalin e Trageteve me 10 për qind më shumë se sa periudha pararendëse.