Kosto e lartë e eksportit në Ballkanin Perëndimor, duhet rreth 17 orë, alarmoi ministri Besimi

Ministri për Financa në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, ka theksuar nevojën për realizimin e procesit eurointegrues, duke alarmuar që kostot e doganës janë tepër të larta në Ballkanin Perëndimor derisa është jashtë BE-së, transmeton Portalb.mk.

Thjeshtimi i procedurave ndërkufitare rezulton në uljen e kostove tregtare. Banka Botërore vlerëson se kostot e tregtisë ndërkufitare në Ballkanin Perëndimor janë relativisht të larta, me ç’rast mesatarisht nevojiten rreth 17 orë për eksport”, deklaroi Besimi.

Besimi vlerësoi që përmes integrimit të tregut rajonal, vendi do të bëhet edhe më tërheqës për investimet e huaja. Lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve e theksoi si mekanizëm që kontribuon në këtë drejtim.

Lidhjet efikase transportuese, rrjetet energjetike dhe digjitale në të gjithë rajonin mundësojnë fluks të pandërprerë të mallrave, shërbimeve dhe ideve”, e paraqet ministri si një nevojë të kohës.

Sundimi i ligjit, parandalimi i korrupsionit dhe qeverisja e mirë, sipas Besimit, janë fushat që do të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë zhvillim.

Ekonomia gri, e cila është e lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe migrimet dhe nevojat e tregut të punës, janë sfida me të cilat duhet të vazhdojmë të luftojmë”, alarmoi Besimi.