Mbi 40 autoshkolla në RMV nën hetim për formimin kartelit për çmime të ngjashme në trajnimet për shoferë

Pas kryerjes së inspektimeve në mbi 40 autoshkolla, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) ka arritur në përfundimin se ka indikacione për sjellje të bashkërenduar në formimin e çmimeve për trajnimin e kandidatëve për shoferë, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë inspektimit, u gjetën indikacione që tregojnë për mundësinë e sjelljes së bashkërenduar të autoshkollave – kartel në formimin e çmimeve për trajnimin e kandidatëve për shoferë”, tha Komisioni në një deklaratë.

Sipas informacionit nga Komisioni, shoqata e kartelit të autoshkollave përfaqëson shkelje të mundshme të Nenit 7, paragrafi (1) të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Komisioni thotë se do të vazhdojë me mbledhjen intensive të provave dhe përcaktimin e detajuar të të gjitha fakteve relevante. Prandaj, ata thonë se nëse konfirmohet ekzistenca e veprimeve të ndaluara kontraktuale, do të merren masa të përshtatshme në përputhje me Ligjin.

Komisioni thotë se inspektimi i punës së autoshkollave është pjesë e punës së vazhdueshme për të përcaktuar shkeljet e mundshme të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Rast i ngjashëm u identifikua në kompanitë e sigurimeve në vend. Dhjetë kompani sigurimi formuan një kartel kur ranë dakord me njëra-tjetrën për të rritur çmimin e sigurimit të makinës, i cili paguhet me regjistrimin e automjetit. Euroins, Triglav, Sava, Sha Makedonija Skopje-Vjena Insurance, Eurolink, Grave, Unika, SHA Osigurtelna Polis, Halk dhe Croatia janë dhjetë kompanitë e sigurimeve që shkelën të gjitha parimet e funksionimit të tregut dhe konkurrencës, me qëllim që të përfitonin në kurriz të pronarëve të automjeteve, informoi Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës më 3 dhjetor.