Mbi 300 gra humbin jetën çdo vit, ndërsa RMV-ja ende s’ka strategji të qartë për parandalimin e kancerit të gjirit
Mbi një mijë gra diagnostikohen me kancer të gjirit çdo vit në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq sistemi shëndetësor vazhdon të ketë ngecje të mëdha sistematike në shërbimet që duhet të marrin pacientët që përballen me këtë sëmundje, shkruan Portalb.mk.
Narta Kasa Iseni e ka fituar betejën me këtë sëmundje, për Portalb.mk ajo ndau përvojën e saj bëri thirrje te të gjithë gratë që të kryejnë kontrolle sepse zbulimi i hershëm shpëton jetë.
Megjithatë, edhe ajo ka hasur në vështirësi në sistemin shëndetësor të vendit.
“Ka pasur vonesa në marrjen e rezultateve dhe në koordinimin e shërbimeve. Mendoj se duhet më shumë investim në diagnostikim të hershëm, komunikim më të qartë mes pacientit dhe mjekëve, si dhe mbështetje psikologjike e organizuar më mirë”, tha Kasa Iseni.
Ajo mendon se decentralizimi i onkologjisë është hapi i parë dhe programi për ftesë në kontrolle të rregullta duhet të rikthehet në sistemin shëndetësor.
Sistemi shëndetësor në vend nuk ka program skriningu të detyruar për pacientët me kancer.
Nga Shoqata e pacientëve onkologjik “Hema Onko” thonë se fakti që vendi nuk ka një program të tillë që ndikon në diagnostikimin e vonshëm të kancerit
“Kemi shumë punë. Ende nuk kemi bërë hapa në ndryshimet dhe në sistemin shëndetësor dhe në Ligjin për mbrojtje shëndetësore dhe në programet skrining dhe në listën pozitive, madje edhe në mënyrën në të cilën Onkologjia është e organizuar, gjegjësisht disperzion”, thanë nga “Hema Onko”.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) të RMV-së, shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje tek gratë në periudhën 2010–2023 është kanceri i gjirit.
Në vitin 2021 jetën e humbën 337 gra, në vitin 2022 e humbën betejën 356 gra, dhe 346 gra në vitin 2023.
Gjatë kësaj periudhe vihet re një tendencë rritjeje të numrit të rasteve të vdekjes nga kanceri i gjirit te gratë.
Onkologu Ilir Ismaili, thekson se mjeku më i mirë i çdo personi është vetvetja, duke filluar nga vetëkontrolli, kjo nënkupton që të paktën një herë në muaj çdo grua, por edhe burrat në raste të caktuara, duhet të kryejnë vetëkontrollin për kancerin e gjirit
Sipas tij, çdo ndryshim që nuk ka qenë prezent më parë në trupin tuaj duhet menjëherë të paraqitet te mjeku për ekzaminime të mëtejshme.
“Çdo vajzë që ka filluar me menstruacionet dhe ka ndonjë shqetësim të gjëndrës së gjirit duhet te paraqitet te mjeku. Sipas protokolleve çdo vajzë mbi moshën 35 vjeç duhet të paraqitet te mjeku për eho të gjëndrës së gjirit një deri dy herë në vit, si obglim i parë ndaj trupit të saj. Ndërsa mamografi, në bazë të nevojës mund të bëhet nga mosha 35 vjeçare në qoftë se ka indikacion mirëpo sipas ligjit çdo nënë, çdo grua, dhe çdo vajzë duhet ta bëjë mamografi të paktën një herë në vit në bazë të indikacioneve”, u shpreh Ismaili.
Ndryshe, tetori në botë njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Mesazhi kryesor që përcillet gjatë gjithë tetorit nga ekspertët dhe jo vetëm është se kontrollet e hershme parandalojnë dhe shpëtojnë jetë.
Onkologët rekomandojnë që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 dy herë në vit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të zakonshme te gratë në mbarë botën, në vitin 2022 kishte 2.3 milionë gra diagnostikuara me kancer të gjirit dhe 670 mijë vdekje.
Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit prek edhe burrat.