Kaltrina Krasniqi: Nëse filmi duhet të propagandojë diçka, është vetëm empatia
Kaltrina Krasniqi është një nga figurat më të njohura të kinemasë nga Kosova. Me filmat e saj ka fituar çmime ndërkombëtare, por nuk është ndalur vetëm në artin e ekranit. Si bashkëthemeluese e Kosovo Oral History Initiative, ajo ka hapur një dritare të rrallë ku ruhet kujtesa e njerëzve të zakonshëm, rrëfime që shpesh mungojnë në librat e historisë. Në një bisedë për Portalb.mk, Kaltrina foli për forcën e kujtesës, historitë që e kanë tronditur më shumë dhe arsyen pse zërat e thjeshtë shpesh tregojnë më shumë se fjalimet e politikanëve.
Portalb.mk: Ju e keni çuar kinemanë kosovare në Bienalen e Venedikut me “Vera Dreams of the Sea”. A mendoni se Kosova është më e njohur sot përmes artit sesa përmes politikës?
Kaltrina Krasniqi: Kosova për më shumë se tri dekada është portretizuar kryesisht përmes prizmit të krizës dhe luftës, sepse realiteti në terren ka qenë i tillë. Sidoqoftë, ky portretim nga mediat ndërkombëtare shpesh ka qenë stereotipik, gjysmak dhe paragjykues. Gjeneratat e reja të filmberëseve në Kosovë, gjeneratë të cilës i përkas edhe unë, përmes filmit përpiqen të dokumentojnë realitete më të shtresëzuara dhe gjithëpërfshirëse. Në dekadën e fundit, kjo lëvizje, e përbërë kryesisht nga gratë regjisore, ka arritur të vendosë në qendër tregime tjera ku ata që historikisht kanë jetuar në margjina janë kryepersonazhe. Kjo qasje i ka dhënë vizibilitet Kosovës dhe ka bërë që në platforma ndërkombëtare të zhvillohen biseda më substanciale lidhur me të kaluarën, por edhe të tashmen e vendit.
Portalb.mk: Në filmat tuaj, gratë shpesh përballen me padrejtësi, por edhe me forcë të brendshme. Sa është arti një mjet rebelimi për gratë në një shoqëri patriarkale?
Kaltrina Krasniqi: E vërteta vazhdon të përjetohet si rebelim, jo vetëm në Kosovë por globalisht. Insistimi në prezervimin e jetëve tona në film dhe në disiplinat tjera artistike prodhon një tension në strukturat shoqërore të cilat janë ndërtuar ekskluzivisht nga burrat; për këtë arsye vazhdojmë të përballemi me cinizëm dhe rezistencë në çdo fushë. Ndoshta ky fërkim i vazhdueshëm mund të quhet rebelim, edhe pse unë e shoh më shumë si një dialog ku, deshëm ne apo jo, ka më shumë aktorë në tavolinë të cilëve megjithatë u jepet fjala kohë pas kohe.
Portalb.mk: Si regjisore që dokumentoni historinë e grave, a mendoni se Kosova e pasluftës e ka harruar rolin e tyre në paqe dhe zhvillim?
Kaltrina Krasniqi: Luftërat prodhojnë tronditje dramatike politike dhe shoqërore. Çka kemi mësuar në Kosovë është se me përfundimin e luftës fillojnë luftëra të tjera të cilat fokusohen në riorganizimin dhe riprodhimin e kujtesës kolektive. Prej këtyre narrativave gratë përjashtohen, patjetër, sepse nuk kanë rrjet që do t’i mbrojë interesat e tyre para rendit tradicional. Pavarësisht kësaj, gratë në Kosovë kanë punuar intensivisht në krijimin e mekanizmave të ndryshëm paralel, për të dokumentuar përvojat e tyre, qoftë në letërsi, film apo aktivizëm. Por gjithashtu është bërë shumë punë për mbështetje të grave dhe grupeve tjera të margjinalizuara në përfaqësim politik. Tash, 25 vjet pas luftës, ekziston një klimë shoqerore më e favorshme për gratë, dhe ky progres duhet t’u atribuohet grave.

Portalb.mk: A është ky projekt mënyra më e bukur për t’u thënë brezave: “Mos harroni kurrë”? A mund të funksionojë ky arkiv si një laborator i përhershëm i reflektimit shoqëror, përtej rolit të tij dokumentues?
Kaltrina Krasniqi: Iniciativa Kosovare për Histori Gojore është projekt i cili fillimisht u iniciua nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në bashkëpunim me New School–New York dhe profesoreshën Anna Di Lellio, e cila ishte njëkohësisht mentorja ime gjatë studimeve master. Misioni fillestar i këtij projekti ishte dokumentimi i historisë së aktivizmit të grave në Kosovë. Unë u angazhova si drejtuese artistike e arkivit duke krijuar platformën online të arkivit dixhital, ku edhe sot publikohen intervistat, transkriptet, përkthimet dhe materialet tjera. Më pas ky arkiv u pavarësua dhe vazhdoi me një program të dendur hulumtues, duke prekur tema si Pajtimi i Gjaqeve 1990, Artistët Modernistë të Kosovës, Greva e minatorëve të Trepçës…
Për gjatë këtyre 13 viteve janë realizuar mbi 350 intervista me njerëz të profileve të ndryshme shoqërore e profesionale, dhe shumë tema të heshtura mbi të kaluarën, tema që kanë qenë nën radar, janë hulumtuar dhe ndarë me publikun. Ky arkiv i shërben qarqeve akademike vendore dhe ndërkombëtare, por jo vetëm atyre. Drejtuese shumëvjeçare e këtij arkivi, Erëmirë Krasniqi, ka punuar për vite të tera në krijimin e platformave ku arkivi është aktivizuar përmes ekspozitave, botimeve dhe filmave. Këto mediume kanë shërbyer si mekanizma që sfidojnë mënyrat se si dokumentojmë dhe flasim për të kaluarën, por edhe në shembjen e master-narrativave. Si themeluese e këtij arkivi, gjej kënaqësi të veçantë në faktin që ky arkiv ka edukuar shumë breza studijuesish të rinj mbi etikën e dokumentimit dhe arkivimit; që gjithmonë është punuar me ekipe të vogla të cilat kanë përfshirë njerëz nga disiplina dhe prapavi të ndryshme etnike, shoqërore e politike; që arkivi mbetet i lirë dhe i hapur për të gjithë.
Në vitet e fundit, përfshirja ime me iniciativën ka qenë kryesisht në cilësinë e themelueses. Sidoqoftë, një prej projekteve të mia më të dashura mbetet dokumentimi i historive të Luftës së Dytë Botërore në Kosovë dhe rrëfimet tronditëse mbi masakrat e Tivarit, histori të cilat familjet në Kosovë kanë mundur t’i adresojnë publikisht vetëm pas luftës së vitit 1999.

Portalb.mk: A e ndjeni se filmi kosovar shpesh është i detyruar të shpjegohet përmes luftës, apo jemi gati të tregojmë histori që e kalojnë atë kufi?
Kaltrina Krasniqi: Kinematografia kosovare është ende e re. Ajo, njësoj si vet vendi ku krijohet, shpesh rrëfehet përmes historisë së saj, e cila, fatkeqësisht, ka qenë turbulente ndër dekada. Mirëpo, gradualisht preokupimet e kësaj tregimtarie kanë filluar të gjejnë hapësirë në tema tjera, tema të Kosovës së sotme të cilat prekin komunitete që shpesh kanë qenë jashtë kuadrit.
Portalb.mk: Kur shikoni pas në karrierën tuaj, cili ka qenë momenti kur keni menduar: “Ja, tashmë kam bërë histori”?
Kaltrina Krasniqi: Unë kurrë nuk mendoj për veten ose punën time në ato terma. Merr shumë kohë që një film të realizohet. Gjatë atij rrugëtimi ne rritemi, dhe vepra e realizuar rrallë reflekton atë që jemi në momentin kur shfaqet para publikut. Kjo mendoj se është një nga arsyet pse kurrë nuk jemi plotësisht të kënaqur me punën dhe kërkojmë gjithnjë horizonte të reja ekslorimi. T’paktën kështu operoj unë.
Portalb.mk: Keni thënë se propaganda është një armë e fortë. A mendoni se arti është propaganda më e bukur që mund t’i bëhet së vërtetës?
Kaltrina Krasniqi: Propaganda dhe filmi në një fjali më bëjnë të ndihem shumë jo komod. Filmi, si çdo disiplinë tjetër krijuese që krijohet në kushte të autonomisë së plotë, është reflektim i qasjeve dhe përjetimeve individuale, dhe konsumuesi i këtyre tregimeve duhet gjithnjë ta ketë parasysh këtë. Filmi, nëse do të duhet të propagandojë diçka, është vetëm empatia.
Portalb.mk: Çfarë jeni duke punuar për momentin dhe çfarë mund të presim nga ju?
Kaltrina Krasniqi: Unë tani jam në përgatitje të xhirimeve për filmin tim të dytë artistik me metrazh të gjatë, “Zbardhje”, i cili, njësoj si “Vera andrron detin”, është shkruar nga Doruntina Basha. Nëse gjithçka shkon sipas planit, filmi do të ketë premierën në vitin 2027.