Mbi 200 persona në vitin 2024 kanë marrë paga nga Fondi Pensional dhe Invalidor i RMV-së, por nuk kanë shkuar në punë

Revizioni ka konstatuar disa parregullsi dhe probleme me personelin në Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore (FSPI). Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit, vitin e kaluar në FSPI janë punësuar 206 persona me kontratë pune në kohëzgjatje nga 2 deri në 12 muaj, për të cilët Fondi kishte siguruar pëlqimin nga Ministria e Financave për kryerjen e detyrave të punës dhe për të cilat janë shpenzuar më shumë se 800.000 euro, transmeton Portalb.mk.

“Revizorët tregojnë se nuk ka evidencë për praninë e personave të punësuar, për këtë arsye ekziston mundësia e pagesës së mjeteve për personat që nuk kanë qenë të pranishëm në vendet e punës dhe nuk kanë kryer detyrat e tyre. Kontratat nuk parashikojnë obligim që personat e punësuar të dorëzojnë raporte për punën e kryer, gjë që nuk ofron siguri për përmbushjen e detyrave të punës dhe detyrimeve për të cilat janë angazhuar, ndërsa shumica e kontratave nuk janë të nënshkruara nga ekzekutuesit”, thuhet në raport.

Po ashtu, theksohet se në Fondin pensional dhe invalidor vitin e kaluar ka mbledhur rekord prej 63 miliardë denarë nga kontributet, por më shumë se 30 përqind nga mjetet e nevojshme për pagesën e pensioneve janë mbuluar nga transfertat shtetërore. Arsyeja për këtë është numri i pamjaftueshëm i personave të siguruar aktiv – shpenzimet e një pensionisti mbulohen nga dy punëtorë mesatarisht.

Në llogarinë e fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore, të destinuara për pagesën dhe shpërndarjen e kontributeve, mbeten para në fund të çdo viti – një pjesë e tyre janë shuma të pandara dhe të paidentifikuara të kontributit të paguar dhe të njëjtat nuk përdoren për pagesën e pensioneve.

Sipas raportit, FSPI prej vitesh po përballet me mungesë të stafit profesional, veçanërisht në sektorët kyç, si njësitë rajonale, departamenti i TI-së dhe auditimi i brendshëm.

“Fondi nuk ka zbatuar masa për standardet minimale për sigurinë e informacionit, as nuk ka një strategji TI për zhvillimin e sistemit të informacionit. Nuk është bërë vlerësimi i rreziqeve për sigurinë e TIK-ut dhe auditimin e sigurisë së sistemit informativ dhe nuk është përgatitur procedurë për mbrojtjen dhe rikuperimin e të dhënave për funksionimin e sistemit pas katrasrofave të mundshme”, kanë përfunduar auditorët.

Ajo që gjithashtu theksohet në raport është se institucioni nuk ka regjistruar në librat e biznesit pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të pasurive të përhershme të përfituara në bazë të procedurave të falimentimit, për të cilat Fondi ka pronësi ose të drejtën e shfrytëzimit. Më pas, regjistrimi i pasurisë, kërkesave, detyrimeve dhe evidenca jashtë bilancit të tokës ndërtimore nuk është realizuar plotësisht dhe nuk është bashkangjitur lista e inventarit nga regjistrimi i përfunduar.

“Për sendet e luajtshme të shpenzuara është bërë fshirje nga evidenca kontabël, pa vendim të Qeverisë dhe pa kryer procedurë për asgjësimin e tyre. Është bërë ndërrimi i drejtorit të Fondit nga Bordi Drejtues pa pëlqimin e Qeverisë, si dhe një ushtrues detyre i drejtorit për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj. Fondi nuk disponon të dhëna për totalin e mjeteve të mbledhura nga akciza dhe mbi bazën e tërheqjes së mjeteve nga llogaria nga Ministria e Financave, gjë që ndikon në konfirmimin e saktësisë dhe plotësinë e të ardhurave të mbledhura mbi këtë bazë”, thuhet në raport.

Ndryshe, dobësia e konstatuar në FSPI për sa i përket sigurisë dhe besueshmërisë së sistemit të TI-së mund të shkaktojë kolaps, siç ndodhi në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në shkurt të vitit 2023, kur ndodhi sulm hakerësh në sistemet e të dhënave. Drejtoresha në atë kohë, Magdalena Filipovska Grashkoska, siguroi se të dhënat janë ruajtur në formë të maskuar dhe nuk janë të lexueshme me sy të lirë, dhe për rrjedhojë, nuk janë prekur nga sulmi i hakerëve.

Kujtojmë se në raportin e nëntorit të Revizionit, u konstatua se Posta e Maqedonisë është me miliona borxhe, por drejtorët në shtator të vitit 2023 i kanë rritur pagat në mënyrë të paligjshme. Punonjësit, të cilët herë pas here protestonin për shkak të pagave të ulëta, ankohen se ka mungesë postierësh dhe punonjës sportelesh, ndërsa për çdo punonjës ka një shef.