Mbajtësit e kartelave të huaja shpenzuan 21 milion euro përmes tregtisë online në Maqedoninë e Veriut

Shoqata e E-Tregtisë së Maqedonisë  (AETM) i analizoi të dhënat e fundit të publikuara nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas të cilave mbajtësit e kartelave të pagesave të huaja shpenzuan 21.76 milionë euro në vitin 2022 në Maqedoninë e Veriut te tregtarët online. Kjo shifër shënon një rritje prej gati 33% krahasuar me vitin paraprak. Vlera e arritur nga blerësit e huaj online u realizua në 618,932 transaksione ose mesatarisht 35.2 euro për transaksion. Analiza e lëvizjes së numrit dhe vlerës së transaksioneve të bëra nga të huajt te shitësit online nga viti 2016 deri në vitin 2022 tregon se ka një rritje të konsiderueshme. Nëse në vitin 2016 të huajt shpenzuan vetëm 2 milionë euro me 32.9 mijë transaksione online, në vitin 2022 vlera u rrit me mbi 10 herë, ndërsa numri i transaksioneve me gati 19 herë, shkruan Portalb.mk

Nga vlera totale e transaksioneve të kryera nga të huajt te shitësit online të Maqedonisë së Veriut, 49% i përkasin mbajtësve të kartave të pagesës nga tetë vende. Prej tyre, 3.6 milionë euro ose 17% e vlerës së transaksioneve u kryen nga mbajtësit e kartave të pagesës të lëshuara në ShBA, të ndjekura nga 2.2 milionë euro ose 10% nga Mbretëria e Bashkuar dhe 1.7 milionë euro ose 8% nga Zvicra.

Pas tyre vijnë mbajtësit e kartave gjermane që realizuan 4%, Bullgaria dhe Turqia 3%, si dhe Suedia dhe Kosova me 2% të vlerës së transaksioneve online.

Analiza e mëtejshme e numrit dhe vlerës së transaksioneve të bëra nga jashtë vendit te shitësit me pakicë në vendin tonë është bërë më në detaje për vendet që gjenerojnë 49% të vlerës totale të gjeneruar.

Rritjen më të madhe të numrit dhe vlerës së transaksioneve online të bëra nga mbajtësit e kartave të pagesave të huaja në vitin 2022 krahasuar me vitin e kaluar e arriti Zvicra, ndërsa transaksionin mesatar më të lartë e bëri Kosova.

Kryetarja e Shoqatës së E-Tregtisë së Maqedonisë, Nina Angelovska, tha se tregtia elektronike lejon blerjen e produkteve dhe shërbimeve nga kudo në botë.

“Analiza tregon se shumica e transaksioneve online të bëra nga mbajtësit e kartave të pagesave të huaja, si në numër ashtu edhe në vlerë, bëhen nga vendet ku ka emigrantë nga vendi ynë ose nga vendet fqinje. Kjo na çon në supozimin që është bazë për hulumtime të mëtejshme se emigrantët tanë po e përdorin gjithnjë e më shumë këtë kanal për të blerë produkte dhe shërbime nga të dashurit e tyre nga dyqanet elektronike vendase. Pritjet janë për rritje të vazhdueshme të vlerës dhe numrit të transaksioneve të realizuara online nga jashtë vendit, pra kryesisht nga qytetarët tanë që mbajnë karta të huaja pagese te shitësit elektronikë. Çdo rritje e transaksioneve elektronike është e rëndësishme për zhvillimin e tregtisë elektronike të vendit tonë”, tha Angelovska.

Ndryshe, mbi një e treta ose 35,4% e klientëve në Bashkimin Evropian (BE) kanë raportuar probleme gjatë blerjeve online përmes faqeve të internetit ose aplikacioneve, ndërsa në Maqedoninë e Veriut probleme me e-shopping kanë pasur 29,41% e blerësve. Sipas hulumtimit të Eurostatit për vitin 2025 mbi përdorimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, ndër vendet e BE-së, përqindja më e lartë e klientëve që kanë hasur probleme është regjistruar në Maltë (64%), në Holandë (57,9%) dhe në Luksemburg (51,4%).