Një dekadë poezi dhe art: Fondacioni Albiz sjell edicionin jubilar të “Mbrëmjes Poetike”
Në kuadër të programit të saj kulturor, Fondacioni Albiz vazhdon traditën e promovimit të letërsisë dhe artit poetik, duke organizuar për të dhjetin vit me radhë konkursin letrar “Mbrëmje Poetike”. Edicioni jubilar do të mbahet sonte më 23 prill (e enjte), me fillim nga ora 18:30, në ambientin historik të Çifte Hamamit, në zemër të Çarshisë së Shkupit, një hapësirë që i jep këtij aktiviteti një dimension të veçantë artistik dhe kulturor, shkruan Portalb.mk.
Besir Dernjani pë Portalb.mk tha se “Mbrëmja poetike” është shndërruar në një traditë me peshë kulturore dhe artistike, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.
“Organizimi i edicionit të dhjetë të “Mbrëmjes poetike” ka një rëndësi të veçantë, sepse shënon një jubile të rëndësishëm në përkushtimin tonë ndaj kulturës, letërsisë dhe mbështetjes së të rinjve krijues. Për ne, ky aktivitet nuk është vetëm një manifestim vjetor, por një rrugëtim dhjetëvjeçar që ka krijuar hapësirë për talentet e reja dhe për fuqinë e fjalës artistike. Nga viti 2015 e deri më sot, në kuadër të këtij aktiviteti kanë konkurruar 308 krijues të rinj, ndërsa 123 poezi të përzgjedhura janë recituar në mbrëmjet poetike. Kjo tregon se “Mbrëmja poetike” është shndërruar në një traditë me peshë kulturore dhe artistike, që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj”, tha Dernjani.
Ai shtoi se ky aktivitet ndër vite ka ndikuar në promovimin e poetëve të rinj dhe të krijimtarisë letrare shqipe.
“Ky aktivitet ka ndikuar dukshëm në promovimin e poetëve të rinj dhe në afirmimin e krijimtarisë letrare shqipe. Përmes “Mbrëmjes poetike”, shumë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare kanë pasur mundësi të paraqesin krijimet e tyre para publikut dhe para një komisioni profesional, duke fituar jo vetëm vlerësim, por edhe motivim për të vazhduar të shkruajnë. Fakti që deri më tani janë recituar 123 poezi të përzgjedhura flet për një fond të pasur krijimtarie të re që është promovuar ndër vite. Po ashtu, ky aktivitet ka nxjerrë edhe shumë fitues e emra të rinj, të cilët përmes këtij konkursi kanë marrë nxitjen e parë serioze për ta parë poezinë si një rrugë të vlefshme shprehjeje artistike dhe kulturore”, tha Dernjani.
Dernjani porositi që dashamirët e poezisë ta mbështesin artin dhe kulturën.
Gjatë një dekade, “Mbrëmja Poetike” është shndërruar në një platformë të rëndësishme për afirmimin e poetëve të rinj, por edhe për prezantimin e zërave të konsoliduar të letërsisë shqipe. Ky manifestim ka kontribuar në pasurimin e jetës kulturore dhe në kultivimin e dashurisë për fjalën e shkruar, duke krijuar ura komunikimi mes krijuesve dhe publikut.
Organizatorët bëjnë të ditur se edhe këtë vit publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një program të pasur me interpretime poetike, prezantime artistike dhe momente që reflektojnë fuqinë e poezisë si formë shprehjeje dhe reflektimi shoqëror.
Jubileu i 10-të i kësaj mbrëmjeje vjen si një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit për të ruajtur dhe zhvilluar traditën letrare, duke e kthyer “Mbrëmjen Poetike” në një nga ngjarjet më të spikatura kulturore që mbledh çdo vit dashamirët e artit dhe krijimtarisë.