Masë paraburgimi ndaj një 20 vjeçari nga Gjevgjelia, tentoi të grabisë një shtëpi në Shkup
Një 20-vjeçar nga Gjevgjelia dyshohet për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, sipas nenit 236, paragrafi 1, pika 1, në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal. Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër tij, pasi më 22 korrik tentoi të grabisë një shtëpi në Shkup duke hyrë me forcë, transmeton Portalb.mk.
“Në orët e hershme të mëngjesit, ai kapërceu gardhin dhe hyri në oborrin e shtëpisë. Më pas gjeti një palë shkallë druri, i mbështeti në mur dhe u ngjit deri te një dritare. Me forcë ngriti roletën, ndërsa me një levë metalike hapi dritaren dhe hyri në shtëpi. Ai kontrolloi dhe përmbysi sendet në kërkim të gjërave me vlerë, por u vërejt nga një fqinj, i cili e raportoi menjëherë rastin. Zyrtarët policorë mbërritën në vendngjarje dhe e arrestuan para se ta përfundonte veprën”, njoftuan nga Prokuroria.
Meqenëse i dyshuari nuk ka vendbanim apo vendqëndrim të përhershëm në Shkup dhe më herët është paraqitur si autor i veprave penale kundër pasurisë, prokurori publik vlerësoi se ekziston rreziku i arratisjes dhe mundësia që ai të kryejë vepra të tjera penale. Për këtë arsye, gjyqtarit të procedurës paraprake i është dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit.