Masë paraburgimi dy serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve dy serbëve të arrestuar nën dyshimin se kanë kryer krime lufte në Kosovë, raporton “Kossev”, raporton Koha.net. Zharko Zariq dhe Momir Pantiq janë arrestuar këtë fundjavë në Kosovë. Ata akuzohen për krime lufte në Istog.

Të dyshuarit janë paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës të dielën, ndërsa i është caktuar masa e paraburgimit.

Zariq, u arrestua mesditën e së shtunës në fshatin Lubozhdë të Istogut. Dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

“I dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur pozitën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut. I njëjti është sjell në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës”, thuhet në njoftim të Policisë.

Të premten, Policia arrestoi në Merdar ish-kryeshef e milicisë në Istog, Momir Pantiq.