Deri 7 500 euro mbështetje për nismat lokale të të rinjve në Maqedoninë e Veriut

Të rinjtë e Maqedonisë së Veriut do të mund të aplikojnë deri në fund të muajit për të fituar mbështetje financiare deri 7 500 denarë për nisma rinore, transmeton Portalb.mk.

“Periudha e realizimit të aktiviteteve është nga 1 nëntori i vitit 2023 deri më 30 qershor i vitit 2024, minimum 6 muaj e maksimum 8 muaj”, sqarojnë organizatorët.

Kjo mbështetje është në kuadër të projektit “Komunitetet gjithëpërfshirëse për të rinjtë”, realizuar nga Këshilli Rinor Nacional në Maqedoni. Vlerësohet që qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i qeverisjes lokale përmes gjithëpërfshirjes.

“Vlera e përgjithshme për këtë konkurs është 112 500 euro. Vlera minimale që mund të kërkohet është 5 000 euro, ndërsa ajo maksimale që mund të kërkohet është 7 500 euro”, raportohet në Konkurs.

Aplikimet duhet të kryhen më së voni deri më 31 gusht në ora 16:00 përmes adresës elektronike [email protected], ndërsa gjithë pyetjet në lidhje me konkursin mund të parashtrohen deri më 10 gusht, ndërsa më 15 gusht do të organizohet një sesion informues.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë organizatat për të rinj në Maqedoninë e Veriut.