Marihuana mjekësore nën llupë: A ndihmon vërtet kundër dhimbjes, artritit dhe Parkinsonit?
Shpresë apo iluzion? Marihuana mjekësore përballë provave shkencore. Barnat me bazë kanabisi po bëhen gjithnjë e më popullore në disa pjesë të botës. Ato përdoren për lehtësimin e dhimbjes, simptomave të sëmundjes së Parkinsonit, artritit, ankthit dhe pagjumësisë. Megjithëse pothuajse 9 nga 10 të rritur amerikanë mbështesin përdorimin e barnave me bazë kanabisi, hulumtimet më të fundit tregojnë se këto barna nuk ofrojnë asgjë më shumë sesa efektin placebo. Njëkohësisht, theksohet se marihuana mjekësore mund të ketë edhe efekte të shumta anësore të padëshiruara, transmeton Telegrafi.
Disa studime tregojnë se adoleshentët që përdorin kanabis me përqindje të lartë përbërësish aktivë kanë më shpesh simptoma psikotike dhe rrezik më të madh për zhvillimin e çrregullimit të ankthit të përgjithësuar.
Kanabisi dhe dhimbja kronike neuropatike
Një rishikim i përditësuar shkencor tregon se nuk ekzistojnë prova të qarta se barnat me bazë kanabisi mund të lehtësojnë simptomat e dhimbjes kronike neuropatike. Dhimbja kronike neuropatike është pasojë e dëmtimit të nervave.
Kjo dhimbje zakonisht shfaqet në formën e:
ndjesisë së shpimit
djegies
pickimit
ndjesisë së ftohtësisë
“goditjes elektrike”
ose mpirjes së një pjese të trupit
Barnat ekzistuese ndihmojnë vetëm një numër të vogël pacientësh, prandaj është rritur interesimi për terapi alternative, siç janë barnat me bazë kanabisi.
Barnat me bazë kanabisi mund të jenë marihuanë bimore ose përbërës të izoluar të bimës së kanabisit, si tetrahidrokanabinoli (THC). Ato mund të përdoren përmes inhalimit, spërkatësve oralë, tabletave, kremrave dhe flasterëve që vendosen në lëkurë.
Një studim i ri përforcon më tej provat se përfitimet e marihuanës mjekësore për dhimbjen kronike shpesh janë të mbivlerësuara. Edhe pse shumë persona mbështeten te kanabisi për lehtësimin e dhimbjes, studimi thekson se kjo përdorim nuk bazohet në prova të forta shkencore. Gjetjet më të fundit tregojnë se barnat me bazë kanabisi nuk ofrojnë më shumë sesa efekt placebo.