Politikanët dhe mediat e RMV-së sërish ranë në Listën e Shangait

“Për të tretin vit radhazi në Listën e Shangait nuk ka asnjë universitet nga Maqedonia”, “Lista e Shangait: Në mesin e një mijë universiteteve të parë nuk ka universitet nga Maqedonia”, “Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” ndodhet në vendin e 1.944-të në Listën e Shangait”, “Publikohet Lista e Shangait, UKM-ja është në vendin e 1.964 nga gjithsej 2.000” –janë këto vetëm disa nga titujt që u publikuan në mediat maqedonase vitin e fundit pas publikimit të rangimit akademik të universiteteve botërore nga organizata e pavarur “Shanghai Ranking Consultancy”, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Për dy vite radhazi publikut i prezantohen informacione të gabuara sa i përket rangimit të institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoni në listën e famshme të Shangait – e njohur si një nga rangimet më të besueshme botërore të universiteteve. Në dezinformimin e qytetarëve janë të përfshira edhe partitë politike dhe mediat.

Lista në të cilën është ranguar UKM-ja nuk është as ajo e Shangait, e as e këtij viti

Të martën, më datë 15 gusht “Shanghai Ranking Consultancy” publikoi Rangimin Akademik të Universiteteve Botërore për vitin 2023. Edhe këtë vit lista nuk solli ndonjë surprizë të madhe – në krye të saj dominojnë universitetet amerikane, ndërsa universitetet maqedonase nuk janë aspak në të.

Në fokus të publikut vendor sërish është Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) si institucioni më i vjetër dhe më i madh i arsimit të lartë në vend dhe për të cilin ka debate se si dhe pse sërish nuk u gjend në këtë listë të njohur.

Gjatë përcjelljes së lajmit për mos rangimin e universiteteve maqedonase në Listën e Shangait dhe kopjimit të përmbajtjes nga njëra-tjetra, mediat nga pakujdesia në raportimet e tyre kanë përcjellë informacione të gabuara.

Kështu, një pjesë e mediave në shkrimet e tyre raportuan se në rangimin akademik të këtij viti të “Shanghai Ranking”, në një mijë universitetet e para në botë në listë nuk ka pasur asnjë nga Maqedonia, por më tej në shkrimet e tyre shkruajnë:

Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” është ranguar më lartë nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë të Maqedonisë, por nga viti në vit po rangohet gjithnjë e më keq – në vitin 2021 në vendin e 1.917, në vitin 2022 në vendin e 1.944 dhe në vitin 2023 në vendin e 1.964.

Kësi lloj informacioni të gabuar këto ditë lexuam në raportimet e të paktën tre mediave online (burimi 1, burimi 2, burimi 3).

Konfuz nga të dhëna të këtilla, duke e ditur se lista e Shangait përbëhet nga vetëm një mijë universitete të ranguara dhe asnjë më shumë, pas një kërkimi të vogël në internet arritëm në përfundimin se gazetarët në këto redaksi në fakt kanë keqinterpretuar një rangim krejtësisht të ndryshëm si “listë të Shangait”.

Bëhet fjalë për një listë të cilën çdo vit e publikon Qendra për rangimin e universiteteve botërore (CWUR), e vendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky rangim përmban një listë me 2.000 universitetet më të mira dhe atje, për dallim nga Lista e Shangait, UKM-ja ndodhet me të vërtetë, por nga viti në vit në një pozicion gjithnjë e më poshtë.

Megjithatë, përveç përpjekjes për ta paraqitur këtë rangim si rangimi i “Shangait”, gazetarët kanë prezantuar të dhëna të vjetra edhe për listën CWUR. Të dhënat ku thuhet se UKM-ja në vitin 2023 është në vendin e 1964-të janë të gabuara, madje kjo listë i referohet vitit të kaluar. Sipas rangimit të CWUR për vitin 2023 të publikuar në muajin maj, Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi” ndodhet në vendin e 1990-të në listë – domethënë ka shënuar një rënie prej 26 vendesh në krahasim me vitin 2022, kur ndodhej në pozitën e 1.964-të. Brenda vetëm katër viteve, UKM-ja ka rënë për 174 vende në këtë listë, pra në vitin 2019 ndodhej në vendin e 1.816-të.

Nga mediat, nëpërmjet opozitës, dezinformata arriti deri tek Qeveria

Kjo nuk është hera e parë që publiku dezinformohet me një lajm kaq të vjetër sa i përket rangimit të universiteteve të Maqedonisë. Edhe vitin e kaluar, një numër i madh i mediave, por edhe një parti politike, u përpoqën të dezinformojnë se UKM-ja me gjasë “ka rënë” në Listën e Shangait.

Kështu, një pjesë e portaleve në titujt e tyre në muajin mars vitin që shkoi kanë shkruar “Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi“ në vendin e 1.944-të në Listën e Shangait“, ndërsa sipas disa të tjerëve UKM-ja ka qenë edhe më poshtë – “Publikohet Lista e Shangait, UKM ndodhet në vendin e 1.964-të nga gjithsej 2.000“.

Dezinformatë u shpërnda edhe përmes një deklarate partiake të opozitares VMRO-DPMNE, ndërsa zëdhënësja e kësaj partie, Marija Miteva, madje mbajti edhe një konferencë të veçantë për mediat kushtuar me gjasë rënies së UKM-së në Listën e Shangait.

“Për fund, konfirmimin se arsimi është në fund të prioriteteve të kësaj qeverie pamë edhe në Listën e Shangait, ku UKM-ja u rendit në vendin e 1.944-të, që është një rënie prej 27 vendesh krahasuar me vitin e kaluar. UKM-ja në listë është pas Beogradit, i cili është në 500 universitetet më të mira, pas Zagrebit, Lubjanës dhe shumë fakulteteve të tjera nga rajoni. Çfarë po ndodh, a ka UKM-ja rektor dhe a do të mbajë ndokush përgjegjësi?”, pyeti Miteva në konferencën për mediat në lidhje me rënien e rreme të UKM-së në Listën e Shangait.

Ajo shkoi edhe më tej, duke pretenduar se UKM-ja ka shënuar rënie në Listën e Shangait për “tre vite me radhë”, për çka përgjegjësinë duhej ta kishin marrë LSDM-ja dhe BDI-ja në pushtet.

Për hir të së vërtetës, as UKM-ja dhe as ndonjë universitet tjetër maqedonas nuk ka qenë ndonjëherë në Listën e Shangait. Rangimi Akademik i Universiteteve Botërore u publikua për herë të parë në qershor të vitit 2003 nga Qendra për Universitete të Klasit Botëror në kuadër të Universitetit të Shangait Jiao Tong në Kinë dhe përditësohet për çdo vit. Që nga viti 2009, lista është e mbrojtur me të drejtë të autorit nga Shanghai Ranking Consultancy, e cila përdor gjashtë faktorë dhe një metodologji të disponueshme publikisht për t’i ranguar universitetet.

As edhe një herë deri më tani, në ekzistencën 20-vjeçare të Listës së Shangait, në të nuk ka pasur ndonjë universitet maqedonas, pavarësisht se cila parti politike ka qenë në pushtet në vend. Kjo mund të verifikohet në uebfaqen e “Shanghai Ranking”, ku janë publikuar të gjitha rangimet e deritanishme.

Pas konferencës për shtyp të VMRO-DPMNE-së vitin e kaluar, pyetje për gjoja rënien e UKM-së në Listën e Shangait iu drejtua nga gazetarët edhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili njoftoi se do të mbajë një takim me rektorin e UKM-së për të “parë se çfarë mund të bëjë shteti për të ndihmuar” , e çfarë mund të bëjnë vetë universitetet për ta përmirësuar punën e tyre dhe për t’u ngjitur në Listën e Shangait”.

Rangimi i Shangait këtë vit ishte edhe pjesë e akuzave ditore politike mes partive, e kështu kryetari i Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së Sergej Popov dha këtë deklaratë:

“Rënia e standardit të jetesës, rënia e investimeve në arsim dhe shkencë, gjendja e mjerueshme dhe trajtimi i studentëve si grup i margjinalizuar, kulmoi me atë që universiteti më i madh publik këtë vit nuk u gjend fare në Listën e Shangait”.

Kjo deklaratë e Popovit lë hapësirë ​​për interpretim se UKM-ja dikur ka qenë në Listën e Shangait, por që këtë vit nuk u gjend fare në të, gjë që përsëri është e pasaktë.

Një pjesë e mediave në titujt e këtij viti shkruan se “Për të tretin vit me radhë në Listën e Shangait nuk gjendet ndonjë universitet nga Maqedonia”, edhe pse institucionet e arsimit të lartë nga Maqedonia asnjëherë nuk kanë arritur të jenë pjesë e këtij rangimi, i cili konsiderohet si një nga më relevantët në nivel global.