Mariçiq: Qytetarët do të ndiejnë se si është të jesh pjesë e Bashkimit Evropian shumë më herët nga ç’është parashikuar

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq deklaroi se Plani për Rritje u jep vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësi shumë të mira  dhe hezitimi për t’u përfshirë në programet e saja do të jetë kohë e çmuar e humbur për ne, shkruan Portalb.mk.

Plani për Rritje është një paketë e re investimesh nga Bashkimi Evropian, e cila bashkë me aktivitete të tjera duhet të ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për të hyrë në BE të zhvillohen sipas kritereve të BE-së. Bojan Mariçiq në shkurt theksoi se e presin listën e shteteve të cilat janë potenciale për anëtarësim në vitin 2030 dhe planin detajor për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Mariçiq sot mori pjesë në konferencën e organizuar nga Fondacioni Kalevi Sorsa me temën “Të shohim përpara, drejt Vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, shfrytëzimi i momentit për t’u zgjeruar” dhe në fjalimin e tij theksoi se ky momentum është një mundësi e veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të shfrytëzohet.

“Mesazhi nga Charles Michel nuk duhet të harrohet, duhet të fokusohemi dhe ta shfrytëzojmë, të mbajmë synimin tonë drejt 2030 si një indikator për planet tona. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë largpamës dhe të përqëndrohen në reformat që do të na sjellin prosperitet”, tha ai.

Në gusht të këtij viti, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim. Në diskutim, Mariçiq u përqendrua në Planin për Rritje me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor mund të fitojnë shumë, duke e quajtur atë “Vendim revolucionar për zgjerimin e Bashkimit Evropian”.

„Me Planin për Rritje për herë të parë hapen mundësi për përfshirje në programe në të cilat nuk kemi qenë përfshirë deri më tani, duke mundësuar qasjen në ndihmë financiare me të cilën do të realizohen reformat më jetësore për realizimin e procesit”, tha ai.

Për në fund, ai përshëndeti të pranishmit me mesazhin se është e mundur që shtetet e Ballkanit Perëndimor të reformohen deri në vitin 2030, e cila do të jetë një tregues për realizimin e rrugës sonë evropiane.

„Nuk duhet ta humbasim këtë moment, nuk kemi kohë për të pritur, duhet të shfrytëzojmë mundësinë të përfshihemi në frontin evropian ku janë të përfshirë të gjithë. Nuk duhet të futemi në tunelin e pritjes, i cili mund të jetë kohë e çmuar e humbur për ne“.

Ndryshe, Plani për Rritje u prezentua në Tiranë, më 16 tetor, në samitin e Procesit të Berlinit.