Mariçiq: Pakoja për BE-në do të formohet, në vitin 2030 do të ketë anëtare të reja, nuk duhet ta lëshojmë edhe këtë mundësi

Në vitin 2030 do të ketë anëtare të reja në Bashkimin Evropian. Në dëm të Maqedonisë së Veriut është që të mos jetë njëra nga ato anëtare të reja, për shkak se gjatë kemi luftuar dhe punuar për këtë çështje. Ne punojmë që në vitin 2030 kur do të ketë anëtare të reja që të jemi në mesin e tyre, tha zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq në intervistë për Radio Televizionin e Maqedonisë, njofton Portalb.

Ai shtoi se është e vështirë t’u shpjegohet qytetarëve se pse nuk dëshirojmë ta vazhdojmë rrugën tonë drejt BE-së dhe se nëse me të vërtetë vlen për shkak të disa bashkësive në Preambullën e Kushtetutës që ta bllokojmë shtetin.

“Jam i bindur se do të mbisundojë mençuria dhe jam i bindur se një pjesë e deputetëve të opozitës do ta kuptojnë peshën e kësaj përgjegjësia dhe ta sjellim vendimin. Përfitimet do të jenë për të gjithë ne. Ky proces tejkalon mandatin e secilës qeveri, ndërsa përfitime do të kenë qytetarët dhe shteti”, tha Mariçiq.

Zëvendëskryeministri shtoi se pa dallim të strategjisë politike, qëndrimeve, pozicioneve, madje edhe inatit, në këtë moment është e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë përgjegjësinë për shkak të qytetarëve.

Mariçiq potencoi se pret që Ukraina dhe Moldavia të marrin hapje të negociatave dhe se ato që janë të përgatitura do të vazhdojnë në rrugën drejt Brukselit.

Konsideron se vendi disa herë ka lëshuar mundësi për vazhdim të rrugës drejt BE-së dhe kjo çdoherë ka qenë në dëmin tonë.

“Nëse mbetemi ne në dhomën e pritjes, ndërsa të tjerat vazhdojnë, sërish do të jetë në dëmin tonë. Ne filluam me Kroacinë, ndërsa Kroacia tani është dhjetë vite anëtare, hyri në eurozonën dhe zonën Shengen”, tha Mariçiq, duke vlerësuar se nuk guxon të lëshohen mundësitë dhe rastet, për shkak se ajo është kohë e humbur për shtetin dhe të rinjtë.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.