LSDM shpalli emrat e 11 kandidatëve të tjerë për kryetarë komune për zgjedhjet e ardhshme lokale

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) mbrëmë shpalli emrat e 11 kandidatëve të tjerë që do të kandidojnë për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale në tetor. Vendimi, siç njoftoi partia, u mor nga anëtarët e Bordit Ekzekutiv të partisë, në një seancë të mbajtur dje pasdite, transmeton Portalb.mk.

Siç shihet nga lista e kandidatëve të miratuar, nga komunat ku LSDM ka një kryetar aktual, vetëm njëri ka marrë mbështetjen për të kandiduar për mandat të ri.

Ky është kryetari i Komunës së Demir Kapisë, Llazar Petrov, i cili do të kandidojë për mandat të tretë në këtë Komunë.

Ndryshe nga ai, kryetari aktual i Dellçevës, Goran Trajkovski, nuk është kandidat për mandat të ri në këtë komunë, ku Socialdemokratët do të kandidojnë me një emër të ri – Dejan Glinxharski.

Me një emër të ri, LSDM do të kandidojë edhe për kryetar komune në Komunën e Staro Nagoriçanit, e cila deri më tani është udhëhequr nga Zhaklina Jovanovska për dy mandate.

Në fletën e votimit për pozicionin kryesor të LSDM në këtë Komunë do të jetë emri i Dalibor Trajkovskit.

Përndryshe, Jovanovska dhe kryetarja aktuale e Shkupit, Danela Arsovska, ishin të vetmet gra të zgjedhura në këtë pozicion në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Më poshtë është lista e re prej 11 kandidatësh për kryetar komune e shpallur nga LSDM:

  • Butel – Olivera Livriniq
  • Veles – Maja Hesko
  • Gjevgjeli – Mile Atanasov
  • Dellçevë – Dejan Glinxharski
  • Demir Kapi – Llazar Petrov
  • Konçe – Bllagoj Iliev
  • Kratovë – Vllatko Spirovski
  • Krivogashtan – Igor Karavilovski
  • Makedonski Brod – Ivica Stojkovski
  • Rankovc – Daniel Krstevski
  • Staro Nagoriçan – Dalibor Trajkovski

“LSDM konfirmon qartë gatishmërinë e saj për të ofruar kandidatë të fortë, të ndershëm, me cilësi të lartë dhe të provuar për zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilët do të punojnë në interes të qytetarëve dhe përparimin e komunave”, thuhet në deklaratën e LSDM-së.

Ndryshe, LSDM ka shpallur disa kandidatë për kryetar komune për zgjedhjet e ardhshme lokale që nga fundi i qershorit. Kandidatja e Social Demokratëve për kryetar komune të Qytetit të Shkupit është nënkryetarja e partisë, Kaja Shukova.

Zgjedhjet lokale do të të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë. 

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.

Afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve që marrin pjesë në zgjedhje në komisionet komunale zgjedhore është 13 shtatori. KSHZ do të organizojë shortin për numrat e fletëvotimeve jo më vonë se 25 shtatori, dhe partitë do të nënshkruajnë Kodin për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike jo më vonë se 27 shtatori.