Maqedonia e Veriut në vendin e dytë në botë për kah numri i fëmijëve që nuk kanë pranuar asnjë vaksinë, tregoi raporti i UNICEF-it

Sipas raportit të ri global të UNICEF-it Maqedonia zë vendin e dytë në renditjen botërore sipas numrit të fëmijëve me “doza zero”, term ky që u referohet fëmijëve që nuk kanë pranuar asnjë vaksinë, raportoi SDK, përcjell Portalb.mk. Raporti “Gjendja e fëmijëve në botë në vitin 2023: Vaksinim për çdo fëmijë” është vlerësimi më gjithëpërfshirës i imunizimit rutinor që ka bërë ndonjëherë UNICEF-i, njofton MIA.

Bazuar në të dhënat e vitit 2021 ky raport tregon se në Evropë dhe në Azinë Qendrore, vendin e dytë në listën negative të renditjes së vendeve sipas numrit të fëmijëve me “doza zero” e ndajnë Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kirgistani – 11 përqind e fëmijëve nën një vit, pas Moldavisë ku kjo përqindje është 13.

Perceptimi publik për rëndësinë e vaksinimit rutinor të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie që nga fillimi i pandemisë së Covid-19, tregon një analizë e re e të dhënave për 55 vende të botës, 29 prej të cilave ndodhen në Evropë dhe në Azinë Qendrore, përfshirë këtu edhe vendin tonë.

“Edhe pse mbulimi me vaksinim rutinor të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut në vitin e fundit pas pandemisë ka shënuar rritje, ajo që është shqetësuese është rënia e besimit tek vaksinat e fëmijëve. Imunizimi është një nga historitë më të rëndësishme të suksesit të njerëzimit. Ai çoi në zhdukjen e sëmundjeve të tilla si variola vera dhe shpëtoi miliona jetë nga sëmundje të rrezikshme, ndër të cilat do të kisha përmendur linë dhe poliomielitin”, tha Patricia di Giovanni, përfaqësuesja e UNICEF-it në vend.

Sipas saj, “nuk duhet të lejojmë që vala e frikës dhe dezinformatave, e përforcuar edhe më shumë nga pandemia, të rrezikojë jetën e fëmijëve”.

Në rrafsh global rënia e besimit vjen në periudhën e rënies më të madhe të vazhdueshme të imunizimit të fëmijëve që po ndodh këto 30 vitet e fundit. Pandemia ndërpreu vaksinimin e fëmijëve pothuajse kudo, më së shumti për shkak të presioneve të mëdha me të cilët u përballën sistemet shëndetësore, devijimit të burimeve të imunizimit drejt vaksinimit kundër Covid-19, mungesës së punonjësve shëndetësorë dhe masave të izolimit të vendosura ndaj qytetarëve. Si rezultat, nga viti 2019 deri në vitin 2021 67 milionë fëmijë në mbarë botën nuk u vaksinuan në mënyrë rutinore, me ç’rast mbulimi me vaksina shënoi rënie në 112 vende.

Për dallim nga trendet botërore, ku fëmijët që jetojnë në zonat më të varfra dhe rurale janë ata që më së shpeshti nuk marrin një ose më shumë vaksina rutinore, situata në Evropë dhe Azinë Qendrore, përfshirë Maqedoninë e Veriut, është e tillë që numri i fëmijëve nën një vit me “dozë – zero” është më i madh në zonat urbane dhe tek familjet më të pasura.

Raporti global ofron një listë me rekomandime. Për Maqedoninë rekomandohet që të vazhdojë të identifikojë dhe vaksinojë të gjithë fëmijët e pavaksinuar, veçanërisht ata që nuk e kanë kryer vaksinimin gjatë pandemisë së Covid-19, pastaj të përforcohet besimi në vaksinat dhe kërkesa, përfshirë këtu edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me komunitetet lokale për t’i adresuar nevojat dhe shqetësimet e tyre për vaksinim, pastaj t’i jepet përparësi financimit për imunizim dhe për shërbimet e kujdesit shëndetësor primar, dhe të ndërtohen sisteme shëndetësore rezistente përmes investimit në punonjës shëndetësorë.