Maqedonia e Veriut ka përmbushur vetëm 30% të agjendës së reformave për negociatat me BE-në
Si mund të ndalojnë reformat të jenë vetëm një detyrim në letër dhe të bëhen mbështetje reale për bizneset, ky ishte fokusi i konferencës “Më pak pengesa, më shumë mundësi: Reforma për e bizneseve të vogla dhe të mesme”, e cila u mbajt sot në Shkup dhe u organizua nga Instituti për Demokraci. Në kushte ku ndërgjegjësimi për Agjendën e Reformave është i ulët, dhe zbatimi i saj është rreth 30%, pjesëmarrësit e ngjarjes theksuan se pyetja kryesore nuk është nëse reformat janë të nevojshme, por si mund të ndihen ato më shpejt dhe me efikasitet në operacionet e përditshme të kompanive, përmes rregullave të thjeshtuara, aksesit më të mirë në tregje dhe mbështetjes reale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, transmeton Portalb.mk.
Eventi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile, dhe në kuadër të pjesës hyrëse, mbajtën fjalim Marko Troshanovski, kryetar i Institutit për Demokraci, dhe Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit të Maqedonisë së Veriut.
Troshanovski theksoi se eventi është pjesë e aktiviteteve më të gjera të organizatës që synojnë proceset e reformave që lidhen me Procesin e Berlinit dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
“Në mungesë të përparimit të vërtetë në pjesën formale të procesit të pranimit, pra dështimit për të filluar negociatat, përmes këtyre proceseve po përpiqemi të inkurajojmë shtetin, institucionet, por edhe komunitetin e biznesit dhe publikun, në mënyrë që të rrisim mbështetjen, kuptimin dhe zbatimin e reformave”, tha Troshanovski.
Ai theksoi se një nga qëllimet kryesore është të zvogëlohet hendeku midis proceseve abstrakte të reformave dhe ndikimit të tyre të vërtetë në jetën e përditshme.
“Reformat shpesh përfundojnë në ligje dhe procedura që tingëllojnë të largëta për qytetarët, por ato ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, nga kostot më të ulëta bankare deri te qasja më e lehtë në shërbime në rajon. Komuniteti i biznesit gjithashtu duhet të përfshihet në mënyrë aktive në proces. Ai nuk është vetëm përfitues, por edhe bashkëkrijues i reformave, dhe pikërisht për këtë arsye qëllimi i këtij eventi është të hapë një diskutim mbi zbatimin e tyre, veçanërisht në fushën e mjedisit të biznesit”, shtoi Troshanovski.
Boshkov theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit të biznesit në proceset e reformave dhe nevojën për një dialog më të fortë midis të gjithë palëve të interesuara.
“Komuniteti i biznesit është një partner i domosdoshëm në këto procese – së bashku me institucionet, odat ekonomike dhe shoqërinë civile, është e nevojshme të ndërtohet një dialog i vërtetë dhe një kuptim i përbashkët i reformave”, tha Boshkov.
Ai theksoi se pavarësisht ekzistencës së dokumenteve dhe iniciativave të ndryshme strategjike, sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre praktik.
“Ne kemi strategji, agjenda dhe plane, por ajo që na mungon është zbatimi konsistent i standardeve dhe parimeve që jemi zotuar t’i zbatojmë”, theksoi ai.
Boshkov tha se ngjarje të tilla janë të rëndësishme për të dërguar mesazh të qartë se ekziston gatishmëri për veprim të përbashkët.
“Ne duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të marrim pjesë aktive në reforma, kjo është e vetmja mënyrë për të qenë konkurrues dhe pjesë e mjedisit më të gjerë evropian dhe global.”
Kryetarja e Qendrës për Integrim Evropian në Institutin për Demokraci, Anamarija Velinovska, theksoi se niveli i ulët i ndërgjegjësimit për Agjendën e Reformave dhe Planin e Rritjes përfaqëson një sfidë serioze, prandaj është e nevojshme t’i afrojmë këto procese me qytetarët dhe komunitetin e biznesit dhe të inkurajojmë përfshirjen e tyre më aktive.
“Hulumtimi ynë tregon se ndërgjegjësimi për Agjendën e Reformave dhe Planin e Rritjes është i ulët – rreth 43% e qytetarëve nuk kanë dëgjuar fare për to, dhe një 43% shtesë kanë dëgjuar për to, por nuk kanë informacion specifik. Aktualisht, zbatimi i Agjendës së Reformave është rreth 30%, gjegjësosht vetëm një pjesë e vogël e hapave të parashikuar janë përfunduar plotësisht, ndërsa shumica e reformave janë ende në proces ose ende nuk janë zbatuar. Ne presim që intensiteti më i madh i zbatimit të ndodhë gjatë këtij viti, duke pasur parasysh se Agjenda e Reformave zgjat deri në vitin 2027. Prandaj, është e rëndësishme që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të ketë presion publik për zbatimin e tyre në kohë dhe efektiv”, tha Velinovska.
Konkurrueshmëria përmes integrimit dhe momenti i reformave
Diskutimi i parë në panel, me temën “Konkurrueshmëria përmes integrimit”, u përqendrua në mënyrën se si Plani i Rritjes së BE-së dhe Agjenda e Reformave 2024-2027 po ndikojnë në transformimin e mjedisit të biznesit në vend. Paneli përfshinte Viktor Mitevskin, drejtor ekzekutiv i Shoqatës ZMAI, Ardiana Abazi, këshilltare Sshtetërore për Integrimin Evropian në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, Irena Gjorgievska, drejtore e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Agjencinë e Inovacionit (INOVA), dhe Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit.
Diskutimi, i moderuar nga gazetarja Aleksandra Tomiq, mbuloi aspekte kryesore të reformave, nga harmonizimi rregullator dhe integrimi në tregun e vetëm të BE-së, deri te tërheqja e investimeve, nxitja e inovacionit dhe transformimi digjital. Theks i veçantë u vu në rolin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Theks i veçantë u vu në rolin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe nevojën për bashkëpunim më aktiv midis institucioneve dhe sektorit privat në zbatimin e reformave.
Politikat publike dhe prokurimi si nxitës i rritjes ekonomike
Paneli i dytë, i moderuar nga gazetarja Aneta Dodevska, iu kushtua rolit të politikave publike dhe prokurimit publik si mjete për rritje ekonomike, me pjesëmarrjen e Marija Jovanoska, shefe e Sektorit në Byronë e Prokurimit Publik, German Filkov, kryetar i Qendrës për Komunikime Qytetare, dhe Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit.
Pjesëmarrësit diskutuan se si prokurimi publik mund të transformohet në një instrument për mbështetjen e kompanive vendase, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmes politikave më të synuara që do të inkurajojnë inovacionin, digjitalizimin dhe zhvillimin e gjelbër. Në të njëjtën kohë, u theksua nevoja për transparencë, parashikueshmëri dhe pajtueshmëri më të madhe me standardet evropiane në këtë fushë.
Konferenca, e cila u mbajt në kuadër të projektit “Forcimi i Pjesëmarrjes së Qytetarëve dhe Bizneseve në Procesin e Berlinit dhe Agjendën e Reformave të Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Fondacioni i Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor, konfirmoi se Agjenda e Reformave përfaqëson një mundësi të rëndësishme për përmirësimin e mjedisit të biznesit, por edhe se suksesi i saj do të varet nga zbatimi efektiv, koordinimi midis institucioneve dhe përfshirja aktive e komunitetit të biznesit.