Kur politika ndan, poezia bashkon: Poetët e rinj shqiptarë dhe maqedonas i thyen barrierat gjuhësore në Shkup (Video)

Në kohën kur çështjet etnike dhe gjuhësore janë bërë diskurs i debatit politik, përplasjeve etnike dhe gjuhësore të ndërsjella, poetët e rinj shqiptarë dhe maqedonas dhanë një mesazh krejt të kundërt nga kjo. Në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, ata bënë thirrje që gjuhët e komuniteteve në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të të shihen si barriera, por si ura komunikimi dhe bashkëpunimi, shkruan Portalb.mk.

Tre autore shqiptarë (Lira Bojku, Valdeta Dulahi, Kaltrina Sadiki) dhe tre maqedonas (Marija Velinova, Ivana Jovanovska, Stefan Spasovski) mbrëmë në hapsirat e Shtëpisë së Evropës në Shkup, pranë publikut artdashës, lexuan poezitë e tyre në gjuhën shqipe dhe maqedonase.

Përveç shkëmbimit të artit dhe përkthimit të poezive në shqip dhe maqedonisht, ky organizim më shumë shërbeu si thirrje për bashkim dhe ndërtim të urave të bashkëpunimit midis poetëve të rinj, pa dallim të etnisë.

Koordiatorja dhe moderatorja e ngjarjes, Arlinda Baftiu i tha Portalbit se si gjeneratë e re duan ta zhbëjnë mendësinë që gjuhën e konsideron barrierë dhe jo fuqi për të ndërtuar ura.

“Skenat kulturore në vendin tonë në të shumtën e rasteve janë të ndara si me thikë, janë të shpeshta manifestimet ku poetët ndahen sipas gjuhëve, ne dëshiruam që t’i bashkojmë zërat e ri të letërsisë përmes gjuhës. Përkthimi i poezive na mundësoi që t’i njohim motivet dhe mendimet dhe reflektimet e njëri tjetrit”, tha Baftiu.

Ajo e konsideron të habitshme faktin se sa komunitet i vogël jemi dhe nuk njihemi mes vete.

“Shumica e poetëve ishin përkthyer në gjuhë ndërkombëtare por jo edhe në gjuhën e komunitetit m të cilin bashkëjeton, ky fakt duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të veprojmë”, thotë Baftiu.

Të pranishmit theksuan se ngjarja e mbrëmshme ishte nismë e mbarë edhe për të menduar edhe platforma të tjera të përbashkëta.

Mbrëmja u përmbyll nga moderatorët Arlinda Baftiu dhe Andrej Mediç Lazarevski me një lexim të përbashkët.

“Ndërmjet dy vargjeve” ishte më shumë se lexim poezie, ishte një simbiozë mes gjuhës maqedonase dhe asaj shqipe, përkthim poetik.

Dita Botërore e Poezisë festohet më 21 Mars dhe është shpallur nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në vitin 1999.

 

Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.