Maqedonia e Veriut e miratoi Planin e Reformës, këstin e parë prej 60 milionë eurove pret ta marrë në qershor

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Sekretariatit për Çështjet Evropiane, në seancën e 12-të shqyrtoi dhe miratoi informacionin për statusin e përgatitjes së Agjendës së Reformës 2024-2027, në kuadër të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor. Institucionet kompetente janë përgjegjëse për finalizimin e draft agjendës së reformës 2024-2027, e cila më pas do t’i dorëzohet Komisionit Evropian. Këstin e parë, vendi e pret në qershor, raporton Portalb.mk.

Agjenda reformuese përfaqëson një paketë gjithëpërfshirëse masash për arritjen e qëllimeve të parapara, pagesa parashikohet dy herë në vit dhe pagesat, siç theksohet nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, kushtëzohen nga realizimi i hapave cilësor dhe sasior në lidhje me masat për periudhën 2024-2027 vit.

Për Maqedoninë, fushat prioritare për të cilat është rënë dakord me KE-në i referohen: menaxhimit/reformës së administratës publike dhe menaxhimit të financave publike; digjitalizimit, tranzicionit energjetik/gjelbër; kapitalit njerëzor; mjedisit të biznesit dhe sundimit të ligjit.

Prezantimi i Pakos së zgjerimit të BE-së. Foto printscreen nga video live i Komisionit Evropian
Prezantimi i Pakos së zgjerimit të BE-së. Foto printscreen nga video live i Komisionit Evropian

“Agjenda e Reformës do të duhet të përcaktojë edhe prioritetet për investimet në infrastrukturë (nëpërmjet WBIF), të cilat duhet t’i referohen: transportit, energjisë, transformimit digjital dhe kapitalit njerëzor, të cilat janë të pranueshme për financim nëpërmjet mekanizmit të Planit të Rritjes”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq gjatë takimit të ministrave për çështje evropiane të vendeve pjesëmarrëse në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore tha se pret që Maqedonia në qershor të marrë këstin e parë me shumë prej 60 milionë eurove, nga paratë e Planit të Rritjes së Komisionit Evropian.

“Pavarësisht shtyrjes së afateve, ndihma e premtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor do të arrijë para fillimit të zgjedhjeve evropiane. Të martën e ardhshme, Qeveria do të miratojë planin e reformës dhe do ta dërgojë në Komisionin Evropian. Vendosmëria jonë është e padiskutueshme dhe nuk do të heqim dorë nga e ardhmja evropiane. Uniteti i rajonit do të thotë integrim i përshpejtuar i vendeve kandidate në rrugën drejt BE-së – përfundimi i takimit të ministrave për çështje evropiane të cilët janë pjesë e procesit për bashkëpunimin e vendeve të Evropës Juglindore. Në takim treguam se këtë herë kemi mbështetje të fortë në “Strategjinë e Evropës Juglindore 2030” dhe në Planin e Rritjes të Komisionit Evropian. Është shumë e qartë për të gjithë ne se realizimi i Strategjisë dhe i Planit të Rritjes kërkon punë të vazhdueshme, angazhim të fortë dhe angazhime serioze. Ne kemi marrëveshje të përbashkët që fokusi ynë duhet të mbetet në nxitjen e lidhjeve rajonale mes njerëzve dhe shfrytëzimin e potencialit të madh ekonomik që zotëron rajoni ynë më i gjerë”, tha Marçiq.

Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023 dhe kap vlerën e 6 miliardë eurove, i njëjti bazohet në katër shtylla. E para, forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. E dyta, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. E treta, përshpejtimi i reformave fundamentale. E katërta, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2023, foto nga faqja zyrtare e Talat Xhaferit në Facebook
Udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor në dhjetor 2023, foto nga faqja zyrtare e Talat Xhaferit në Facebook

Për këtë plan, samiti u mbajt më 22 janar në Shkup dhe me 19 shkurt në Tiranë ku u miratua Deklarata e përbashkët e liderëve, në drejtim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm institucional ndërmjet shteteve, duke specifikuar hapat dhe nismat konkrete për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve në gjithë rajonin.

Deklaratën e përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ekspertët e komentojnë si vendosmëri nga ana e shteteve të rajonit për të hyrë në një treg të përbashkët. Takimet janë të shpeshta përkundër asaj që pritej. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, shtojnë njohësit e çështjeve politike dhe evropiane, mbetet një sfidë nëse rritja do të jetë e mundshme deri në vitin 2030. Gjithashtu zbatimi i tij mund të ngecë nga qeveritë rajonale, si pasojë e problemeve historike, që mund të jenë faktor për ngadalësimin e bashkëpunimit.