BE-ja nën presion kohor për ta miratuar formalisht planin për rritje në Ballkan

Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian ende nuk kanë arritur pajtim të plotë për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, raporton REL. Këto dy institucione të bllokut janë duke i vazhduar bisedimet për këtë nën një presion të madh kohor.

Për miratimin formal të këtij plani, i cili përfshin 6 miliardë euro ndihmë financiare për gjashtë vendet e rajonit, është i domosdoshëm pajtimi i Parlamentit Evropian dhe Këshillit.

Nga 6 miliardë euro, 2 miliardë do të jepen si grante pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë thënë se qëndrimet janë përafruar, por ende nuk ka pajtim të plotë mes PE-së dhe Këshillit.

Ndryshe, Parlamenti dhe Këshilli Evropian kanë miratuar qëndrimet për Reformën dhe Planin e Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pritet që deri në fund të muajit prill të përfundohet procedura për miratimin e kësaj rregullative.

Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023 dhe kap vlerën e 6 miliardë eurove, i njëjti bazohet në katër shtylla. E para, forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së. E dyta, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal. E treta, përshpejtimi i reformave fundamentale. E katërta, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Për këtë plan, samiti u mbajt më 22 janar në Shkup dhe me 19 shkurt në Tiranë ku u miratua Deklarata e përbashkët e liderëve, në drejtim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm institucional ndërmjet shteteve, duke specifikuar hapat dhe nismat konkrete për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve në gjithë rajonin.