MALË MARINARI (II)

Mirza, i prekur nga trajtimi i gabuar që i kishte bërë Malës, vazhdoi: “Pasi ta kryesh shërbimin ushtarak, ke një vatër, një konak, një shtëpi në kasabanë time, ke një vëlla dhe një familje tjetër, të dytë, shpirtërore. Paskam qenë peng i agjitacionit të fabrikimit të imazhit të ‘shqiptarit të pagdhendur, katil, të pacivilizuar dhe të rrezikshëm.’ Kërkoj falje nga thellësia e zemrës. Ma bën hallall. Unë jam kurban i mosnjohjes së tipareve të një shqiptari ordiner. Ah, ah… O nënë moj!” Tanimë raportet u normalizua mes dy ushtarëve. Dhe erdhi fundi i  periudhës së përbashkët, ndarja. Misionin ushtarak e kryen larg njëri-tjetrit, në dy qytete të ndryshme të bregdetit adriatik.

Mala, pasi e kreu shërbimin ushtarak, një ditë të zakonshme, në mëngjes arriti në vendin e punës. Mbi tavolinë pa një zarf vulën e postës. E hapi, kishte një pako për të. Vajti në degën më të afërt të postës “Tasjan”, i treguan se ishte një kuti me peshë që s’mund të merrte në dorëzim pos në Postën Qendrore. Mësoi se vinte nga shoku i ushtrisë. E mori dhe me të arrirë në shtëpi menjëherë e hapi: Dhurata të ndryshme, dy palë çorapë, një qeskë me kafe të bluar, mish të thatë, një pako llokum, shega e një varg fiku të terur, dhe një letër brenda: “Malë! Ti je njeriu më i mirë që kam takuar në jetë. Të kam borxh për paragjykimet e kësaj koke mendjelehtë. Betohem në Zot, se denoncime s’të kam bërë se s’kisha material, i dije vijat e kuqe. Vetëm takimet e çajit që i organizonit me bashkëkombasit. E tregoja numrin e njerëzve për çdo natë. Ti ishe pedant në shërbim, i virtytshëm në sjellje përkundër faktit që më kishe diktuar moti se të ndiqja si hija. Edhe një herë më fal. Me nderime, miku i jetës Mirza.” “Hasmi” i dikurshëm, doli më besnik se shqipoja ynë të cilit një ditë para së të nisej për në shtëpi ia dha një kufer rrobash të cilin do t’ia kthente diqysh, e që s’e pa kurrë e as i bëri një zë. Dhe, Malës pas disa vitesh i ra udha andej dhe vendosi ta vizitonte boshnjakun 2.04 m të lartë, me të cilin, sipas tij, e lidhte gjeni ilir nga i cili vijnë këto dy kombe. Me të trokitur në derë mësoi se Mirza ishte larguar nga vendi, ishte shpërngulur në Holandë, se në shtëpi kishte lënë nënën me të vëllanë. Piu kafenë pa sheqer, bisedoi me ta, evokoi kujtimet dhe u nis për në Split.

Jeta është e çuditshme, të sjell hidhëtira që më pas të bëhen mjaltë, të afron me të largëtin, të jep leksione vazhdimisht. Marinari që e bënte çajin më së miri mbi reshonë (pllakën elektrike) e vet, ishte amza e shqiptarëve, kafene alternative, ndërkohë që me sjelljen e vet “jo me arshinin e njëjtë”, johakmarrëse, arriti të ndryshojë bindjen për shqiptarin, të prodhuar nga propaganda serbe dhe të ngulitur  te një pjesë e mirë e kombeve dhe entiteteve më të vogla jugosllave. Ushtria ka qenë shkollë e përtej shkolle. Të mësonte gjuhën, të hapte horizonte, krijonte botëvështrim kulturologjik dhe sociologjik. Me të gjitha vuajtjet,  të piqte për jetë, të disiplinonte, të bënte “njeri të dalë”, të socializuar, të gatshëm për të krijuar familje dhe “për të notuar në ujërat e jetës”. Si Malë marinari i dikurshëm, që sot ka bërë karrierë të sukseshme në administrimin publik, që ka shtatë nipër e mbesa dhe që gjithandej njihet veç për mbarësi. Mësim: mirëvetia, mirësjellja dhe bontoni nga oponenti, armiku krijon dashamir, mik të zemrës dhe të jetës. Erupcioni, emocionet dhe agresiviteti nga njeriu qengj krijon ujk.

Shënim: Bazuar në rrëfimin-përjetim të një miku të autorit.   

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.