Luftën e 2001-shit nuk e bënë mediat, por disa prej tyre e ushqyen
Ishte marsi i vitit 2002, kur në Tetovë, në njërën prej vatrave të konfliktit të posapërfunduar ndërmjet UÇK-së dhe Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë, u organizua një konferencë me gazetarë shqiptarë e maqedonas, të cilët debatuan për rolin e medieve gjatë kësaj lufte. Qe ky një rast i mirë për të shkëmbyer mendime, për të folur lirshëm për muajt e mbarsur me ngjarje të rënda, që, dhëntë Zoti, nuk do të përsëriten kurrë më.
Në këtë takim shpërfaqa dhe unë me disa fjali të vërtetën time:
Nuk jam idhtar i problematizimit të së sotmes me ngjarjet e së shkuarës, ku bën pjesë dhe konflikti i vitit 2001, por, në takimin sotëm detyrimisht do t’i referohemi historisë sonë më të re, historisë tragjike nga e cila na ndajnë vetëm disa muaj. Personalisht, do të doja që në takimin e sotëm ta themi të vërtetën lakuriqe dhe të marrim mësime nga tragjeditë e ndodhura. Ky është takim intelektualësh e njerëzish të kultivuar që do t’i kthehen sot konfliktit, sa për ta soditur krizën e kaluar me mendje racionale; sa për të parë në plotninë e tyre ngjarjet e së djeshmës në dritën e të sotmes; sa për t’u parë e për t’u njohur me njëri-tjetrin dhe sa për t’ushtruar kulturën e dialogut të mirëfilltë, që s’duron heronj fjalësh të zjarrta e argumentesh të pakta.
Takimi i sotëm ka për qëllim të vë në pah misionin primar të mediave për të afirmuar të vërtetën; për të nxitur frymën e tolerancës mes njerëzish dhe etnishë; për të kultivuar konceptet e mirëfillta mbi informimin e drejtë dhe të paanshëm; për të kultivuar ndjenjën e respektit për “tjetrin”; për të kapërcyer mbi paragjykimet ekzistuese; për të ndriçuar rrugët që shpiejnë drejtë qytetërimit perëndimor; për të afirmuar nevojën e shkëputjes nga kthetrat e politikës (veçmas politikave ditore); për të meremetuar pasojat e luftës; për t’i kontribuar humanizimit dhe demokratizimit të mirëfilltë të këtyre hapësirave dhe për të përcaktuar prioritetet e së ardhmes – rolin e mediave pas Marrëveshjes së Ohrit.
Natyrisht, nuk kemi iluzione se pas kësaj konference do të ndryshojë bota, po le të jetë hapi ynë një përpjekje për të ndriçuar të vërtetën, se pa u ndriçuar ajo s’mund të lëvizim dot përpara. Forca dhe ndikimi i mediave në këtë drejtim është i padiskutueshëm. Siç dihet, vetëm përmes një mediumi mund të distribuohet një lajm i vetëm në mijëra veshë për një kohë të vetme. Është fat kur mediat i shërbejnë mirëqenies së përgjithshme, krijimit të një opinioni të drejtë ndaj realiteteve bashkëkohore. Mjerisht, disa media me peshë, pikërisht në kohëra e situata të rrezikshme, siç qenë ngjarjet e vitit të shkuar, u përcaktuan për orientime të çuditshme redaksionale, që më shumë i ndezën gjakrat e publikut, se sa u munduan t’i qetësojnë ato.
Për nivelin, profesionalizimin dhe rolin e disa mediave këtu në Maqedoni, flasin edhe institucionet e huaja që ndjekin gjithë atë që ndodhi dhe ndodh në këto hapësira. Raporti i fundit i VORLD PRESS FRIDOM kritikon ashpër rolin e mediave në Maqedoni gjatë kohës së luftës. Sipas këtij raporti: “Disa gazetarë gjatë kohës së konfliktit informonin në mënyrë joobjektive dhe ndikonin në rritjen e tensionit. Ata, thuhet më tej në raport, madje bënin çmos për ta rritur urrejtjen mes dy palëve. Standardet e gazetarisë u vunë në pykëpyetje, kurse vëreheshin keqpërdorimet politike të mediave…”.
Është e vërtetë se luftën nuk e bënë mediat, por disa prej tyre e ushqyen atë me gjithë forcat në disponim, me komente të pabalansuara, me lajme të paverifikuara dhe të njëanshme, me raporte histerike, me senzacione të rrezikshme.
Këto konstatime mund të duken të rënda, po, mjerisht, janë të vërteta. E ne duhet të ballafaqohemi me të vërtetat tona, që t’mos u lëmë trashëgim brezave që vinë mekamet e njëjta dhe lamçet e ngatërruara për bidat.
E kemi për obligim që të gjurmojmë rrugët e daljes nga kjo llofkë; e kemi për obligim që të përpiqemi ta stabilizojmë situatën dhe t’i mëkojmë plagët e hapura; e kemi për obligim që t’i kontribuojmë të nesërmes së fëmijëve tanë; e kemi për obligim të ndërtojmë një shtet demokratik, që do t’i trajtojë qytetarët e gjithë etnive të vendit në mënyrë krejtësisht të barabartë. Rruga do jetë e gjatë dhe e mundimshme, sepse përballë vullnetit të mirë dhe energjisë pozitive do të qëndrojë edhe më tej forca e errët mesjetare që s’e ka ndër mend të mos ia bëjë tjetrit atë që s’dëshiron t’ia bëjnë të tjerët asaj.
Një fjalë e urtë kineze thotë: “Edhe rruga prej njëmijë kilometrash nis me një hap të vetëm”. Ne e bëmë hapin tonë, hapin e vullnetit të mirë. Të shpresojmë se së shpejti do t’na bashkangjiten edhe të tjerët…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.