Keqinformohet për dëmet në Izrael, pas sulmit me raketa nga Irani
Situata në Lindjen e Mesme është një nga temat që përcillet me interesim të madh edhe në Kosovë, ku individë e media të ndryshme shpërndajnë informacione, në disa raste të pambështetura në fakte. Më 1 tetor 2024, Irani njoftoi se ka hedhur qindra raketa drejt Izraelit, pas përshkallëzimit të konfliktit disamujor midis Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani – Hezbollahut dhe Hamasit, shkruan Sbunker.
Në të njëjtën ditë, teologu Mustafë Bajrami, i cili është panelist i rregullt në njërin prej emisioneve ku trajtohen të gjitha ngjarjet e botës përmes teorive konspirative, bëri një postim në Facebook, me pretendime të pakonfirmuara nga institucionet zyrtare dhe media kredibile ndërkombëtare.
“Para një ore, mbi Amman të Jordanisë kanë kaluar 43 raketa, që shkonin drejt Tel Avivit. 250 raketa deri më tani janë hedhur nga Irani. Raportohet se është vrarë Gjeneral-komandanti i ushtrisë Izraelite, Herzi Halevi. Numri i viktimave po rritet në Izrael. Në ndërkohë, para pak orësh, Hizbullahu ka goditur me raketa qendrën e Mosadit brenda Izraelit. Luftë e madhe po niset andej…!!!”, – ka shkruar Bajrami.
E para, pretendimi se janë hedhur 250 raketa nga Irani, nuk qëndron. Sipas një artikulli të publikuar nga BBC-ja, Irani lëshoi pothuajse 200 raketa balistike drejt Izraelit.
Tutje, Mustafa pretendon se është vrarë Komandanti i ushtrisë Izraelite, Herzi Halevi. Por në asnjë raportim të mediave ndërkombëtare, apo të dhënave të qeverisë izraelite, nuk përmendet se Halevi është vrarë nga këto sulme. Madje, një ditë pas sulmit, Halevi raportohet se ka pasur komunikim me Komandantin e Komandës Qendrore të SHBA-së, Gjeneralin Michael Erik Kurilla. Aty thuhet se kanë diskutuar për përgatitjet që janë bërë para dhe gjatë sulmit nga mbrojtja e koordinuar mes Izraelit dhe SHBA-së.
Nuk qëndron as pretendimi se numri i viktimave po rritet në Izrael. Shumica e mediave, përfshirë BBC-në, raportuan për vetëm një të vrarë nga mbeturina e raketës. “Miliona njerëz nxituan drejt strehimoreve përpara se shpërthimet të ndriçonin qiellin mbi Tel Aviv dhe Jerusalem. Një burrë u vra nga rënia e mbeturinave të raketës në qytetin Jericho në Bregun e pushtuar Perëndimor, thanë zyrtarët palestinezë”, shkruan BBC-ja.
Mediumi tjetër “The Guardian” ka cituar deklaratën e qeverisë izraelite, që tha se disa nga bazat e saj ajrore u goditën në pjesët qendrore dhe jugore të vendit, por pa pasoja të mëdha.
Veç postimit, Bajrami ka paraqitur në pjesën e komenteve tituj të mediave në gjuhën arabe, për ta mbështetur gjoja pretendimin e tij.
Mustafë Bajrami është panelist në emisionin Komplot, bashkë me Arianit Sllamnikun, të cilët shpërndajnë teori konspirative.
Se sulmi pati pasoja minimale, e thanë edhe liderë botërorë. Kësisoj, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se “sulmi është zmbrapsur dhe ishte joefikas”. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka konfirmuar se forcat e tij kishin ndihmuar në rrëzimin e raketave. Me gjithë rreziqet për përshkallëzim të konfliktit, OKB-ja dhe BE-ja kanë kërkuar shmangien e tyre.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit erdhi pas vrasjes së liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe komandantit përgjegjës për transferimin e armëve nga Irani në grupin militant, Muhammad Jaafar Qasir, në një sulm ajror në Bejrut, më 27 shtator 2024.