Lufta si një konstantë e pashmangshme për njeriun

“Nëse nuk e urrejmë atë që nuk jemi, nuk mund ta duam atë çka jemi.”
Samuel Huntington (Përplasja e Qytetërimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror)
Konstantja e pathyeshme, e pandryshueshme në këtë botë është lufta. Qoftë nga prirja e njeriut për autoritet dhe pohim të vetvetes e kulturës që i përket, e deri në formën e abstraktuar të shteteve për ta pohuar identitetin e tyre kulturor, qytetërimor apo civilizues dhe ideologjik-ekonomik. Konflikti apo lufta mund të ndodhë në dimensione të ndryshme hapësinore e kohore me përkufizime të ndryshme që janë shkaqet, në thelb, e rëndësishme është që konflikti ka qenë dhe do mbetet baza e çdo përpjekjeje për stabilizuar apo destabilizuar rendin ndërkombëtar apo shtetëror.
Konflikti në dimensionet e ndryshme kohore ka qenë me baza të ndryshme, ndonëse pasojat kanë qenë dhe do mbeten të njëjta. Shekulli XX pati ndarjen e botës mbi dimensione ideologjike, dhe shtetet për ta afirmuar ideologjinë e tyre përdorën luftën. Në botën e tretë konflikti ishte nga prirja e një kolektivi për ta pohuar identitetin e tyre etnik e fetar kundrejt kundërpeshës e cila reagonte për t’ia mohuar një të drejte të tillë që në realitet çoi në shfarosjen etnike në shumë vende. Në thelb, njeriu, shteti apo shoqëria do përballen me konflikte, qoftë me dimensione ideologjike ose politike, por edhe më shumë kulturore, sepse konflikti është pikënisja e këtij rruzulli dhe përfundimi i saj. Sepse këtu qenia njerëzore me të drejtë ose jo, ka dëshirën apo instinktin e shtypjes së tjetrit dhe theksimin apo pohimin e vetvetes. Instinkti kafshëror për të gllabëruar pushtet dhe territor i lind gjithmonë para atij racional dhe ndërgjegjësues njeriut politik. Siç thotë edhe Hobbesi ndryshe nga Aristoteli, individi si konstrukt shoqëror është konfliktual, si pasojë e nevojës së çastit dhe arsyes largpamëse e epshore për urinë e së nesërmes. Kjo e shndërron atë në bishë për autoritet dhe pushtet të pakufizuar, sepse brenda saj ndjen sigurinë dhe fuqinë.
Prandaj përtej gjithë konstruksioneve vetmohuese e organizuese të gjithë shteteve për të deleguar vullnetet e tyre në organizma mbishtetërore e postnacionale, lufta është e pashmangshme, e paevitueshme, sepse qenia biologjike, e ashtuquajtur Njeri, po largohet nga natyra biologjike e ontologjike e tij, për të përndjekur dhe vazhduar rolin e Njeriut Historik, si perandorak e konfliktual.
Njeriu gjithmonë natyrshëm e predimensionon identitetin e tij në të gjitha sferat, por në momentin që niset e mendon se identiteti i tij ka barrën qytetëruese, morale, universale të kontrollojë shoqëritë, botën, politikën, mu aty, ka shkatërruar kohezionin e vlerave, normave dhe baraspeshës, kështu ai padije ka lëkundur murin që baraspeshon shtetet, shoqëritë dhe popujt.
Në thelb përtej gjithë konstruksioneve politike liberale dhe parimeve filozofike liberale iluministe dhe antropocentrike, karakteri njerëzor si strukturë racionale/biologjike/ontologjike ka prodhuar vuajtjet më të mëdha për vetë njeriun. Edhe përtej gjithë transformimeve ndaj perceptimeve të realitetit shoqëror/politik dhe ngritjes së individit si qenie supreme që i garantohen të gjitha të drejtat e natyrshme biologjike/perceptuese dhe politike/publike, që i ndodhën njeriut nga përpjekja e njeriut, kryesisht filozofisë perëndimore, sot para syve tanë po shpërfaqet një tmerr e një luftë e madhe.
Pra po saktë, jemi në shekullin XXI, ku njeriu krijoi dhe shpiku parimet më liberale, duke vendosur në qendër veten, e duke luftuar absolutizmin mbretëror (e glorifikuar dhe e legjitimuar nga Qielli) dhe banalitetet fetare (që hipnotizonin shoqërinë e vendosën një pushtet e autoritet mbi to) pra, përtej gjithë këtyre transformimeve, njeriu vazhdon si qenie “e ngutshme” kuranore, të godasë njeriun, për disa interesa politike të brishta e të pafalshme për njeriun, kryesisht demosin.
Përtej realizmit politik, ku interesi shtetëror/shoqëror ka rëndësi më tepër se moralizimi universal, sot nuk mendoj se duhet shtruar pyetja se cilit qytetërim i takojmë, ose se në cilin qytetërim duam ta etablojmë shoqërinë tonë (interesin shtetëror), më e rëndësishmja do pohoja është të shtrojmë pyetjen:
A ka mbetur pak lloj qytetërimi universal moral e njerëzor, që ashtu si në Rilindje vendosi njeriun në qendër, të vendosë edhe sot qenien njerëzore të pafajshme e njëkohësisht viktimë (ndaj një rendi politik të brishtë, ku, a priori është një interes shtetëror ose iluzioni arrogant i pushtetarit) sesa qenia njerëzore, (që ka të drejtën absolute të jetojë në liri e dashuri dhe dhembshuri), në qendër të rendit gjeopolitik e strategjik, për ta lënë të lirë, e jo për ta luftuar?