Lufta e Ftohtë që mund të vijë në Ballkanin Perëndimor

Kur filloi lufta në Ukrainë, një numër i konsiderueshëm i specialistëve menduan se konflikti do të ndryshojë politikën ruse jashtë dhe brenda. Analistët parashikonin se Ukraina me mbështetje nga Perëndimi do të fitojë dhe Rusia do të humbë. Pothuajse dy vjet pasi Rusia e sulmoi Ukrainën, kancelaritë perëndimore janë të shqetësuara për fillimin e një Luftë të Dytë të Ftohtë me Rusinë.

Ka disa shenja se lufta e gjatë me Rusinë do të sjellë një Evropë të re dhe marrëdhënie të reja jo vetëm me Rusinë. Fokusi ynë është Evropa dhe në veçanti mënyra se si shtetet e Ballkanit do gjinden në këtë konfigurim të ri, ku së bashku me SHBA-në, Gjermaninë dhe Britaninë duhet të vendosin se ku do të jetë kufiri apo linja ndarëse. Edhe pse ndarja nuk do të jetë e njëjtë si gjatë shekullit të 20-të, disa veprime të forcave aleate dhe atyre ruse tregojnë së një ndarje e tillë e përzier në zona është e mundshme. “Europa është në rrezik.

Nëse nuk e ndryshojmë kursin me shpejtësi, nëse nuk mobilizojmë të gjitha kapacitetet tona, nëse e lëmë Putinin të fitojë luftën në Ukrainë, nëse nuk jemi në gjendje të ndalojmë tragjedinë që po ndodh në Gaza, mendoj se projekti ynë i BE-së do të të jetë shumë i dëmtuar”,- tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josef Borrell. “Do të bëhet një botë më e rrezikshme dhe ne do të jemi më të prekshëm nëse Putini fiton luftën në Ukrainë”,- tha për CNN-in Sekretari i NATO-s Jenes Stoltenberg. Tashmë dihet se lufta aktuale në Ukrainë ngërthen një konfrontim afatgjatë me Rusinë, dhe një garë përsëri në mes Perëndimit dhe aleancës Rusi- Kinë. E gjithë kjo na kujton Luftën e Ftohtë të shekullit të 20-të.

Që nga Kriza e Kubës së vitit 1962, lufta në Ukrainë ka shkaktuar edhe krizën më të thellë në marrëdhëniet në mes Moskës dhe Uashingtonit. Në këtë krizë, përveç BE-së, shteteve nordike dhe ish – shteteve të bllokut lindor, Ballkani Perëndimor siç e dimë ka qenë pjesë e garës dhe ka ofruar historikisht një rast të mirë analize se si mund të funksionojë sistemi global i Luftës së Ftohtë. Po sjellim këtu disa raste para se Lufta e Ftohtë të merrte formë aty pas 1946-ës. Nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në fund të vitit 1944, lufta e brendshme në Greqi në mes forcave komuniste greke dhe atyre perëndimore ishte përleshja e parë në mes Perëndimit dhe ish- sovjetikëve për ndikim dhe ndarje të sferave të interesit. Po ashtu Kriza e Triestës (1945-53) prodhoi një konflikt jugosllavo- italian, ku një luftë tjetër duhej të parandalohej. Disa burime historike tregojnë se Lufta e Ftohtë pikërisht filloi në Triestë. Kemi disa raste tjera nga historia që sot mund të merren si shembuj klasik se çfarë na pret nga lufta në Ukrainë. Pas 1939-ës forcat aleate për të mposhtur Gjermaninë nuk bënin dallime ideologjike.

Po sot koalicioni i bashkuar euro-amerikan ka arritur që të mbajë gjallë Ukrainën bashkë me disa shtete që nuk janë në bllokun perëndimor. Moska siç dihet nuk mbështetet në një bllok të madh shtetesh si ish-BRSS-ja. Pavarësisht kësaj, Kina dhe disa shtete tjera janë vënë në anën e Rusisë. Në një Luftë të Ftohtë në mes disa fuqive, BE-ja dhe Ballkani do të jenë të varur kryesisht nga të mëdhenjtë. Së këndejmi, në territorin e Evropës, zërat e Luftës së Ftohtë të shekullit të kaluar paralajmërojnë një të ardhme të shteteve që do të jenë të radhitura në disa blloqe gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Për më shumë, frika nga kërcënimi rus ndikoi që Gjermania për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore vendosi të dërgojë pesë mijë ushtarë dhe paisje ushtarake në Lituani përgjatë kufirit me Rusinë.

Gjithashtu, Finlanda e ka rritur prodhimin e armatimit. Javën e kaluar SHBA-ja dhe Finlanda nënshkruan një marrëveshje ushatarake që ua bën të mundur forcave amerikane të mbështesin Finlandën në rast të një lufte me Rusinë. Pasi pjesa perëndimore, lindore dhe veriore e shteteve të Evropës po përgatiten për një Luftë të Ftoftë me Rusinë dhe fuqitë tjera, në Ballkanin Perëndimor kemi një format tjetër apo përzierje politikash që shumë pak ndryshojnë nga ish- Lufta e Ftohtë e shekullit të 20-të. Shteti kryesorë që do të ketë rol të rëndësishëm në këtë lojë është Serbia për të cilën që para një dekade kemi shkruar. Pasi Uashingtoni ende nuk e ka të qartë se ku do të mund të kalojë linja ndarëse, Serbia është bërë një “kingmaker”. Nëse përfudimsht Serbia do të mbetet neutrale apo ruso-kineze, atëherë Ballkani do të mbetet i ndarë në disa zona me disa shtete të vogla anëtare të NATO-s. Dhe pavarësisht se Serbia ka mbështetje amerikane, përsëri lë shumë dilema se sa gjatë do të vazhdojë të qëndrojë në dy anë. Një paqartësi e Perëndimit ndaj Serbisë dhe autokratëve në Ballkan mund të lë pasoja në këtë riformatim. Pasi Serbia është në qendër të rajonit, shtetet fqinj me orentime të ndryshme dhe më shumë për arsye të së kaluarës dhe lidhjeve në mes tyre do të jenë të varuara nga politika serbe dhe ekonomia e saj.

Maqedonia e Veriut së bashku me Serbinë veçse janë duke u integruar në disa fusha. Mali i Zi dhe Bosnja gjithashtu janë shtete të brishta për të shkaktuar shqetësime në këtë riformatim të ri në favor të Rusisë dhe Serbisë. Kosova nëse do të qëndrojë në statusin aktual do të jetë e rrezikuar nga Serbia vazhdimisht. Shqipëria edhe pse në NATO nuk do të jetë në gjendje të luajë ndonjë rol kyç në sigurinë dhe në politikën e ndarjeve të sferave të interesit. Në këtë botë të ftohtë që buron nga Ukraina, perdja në mes Lindjes dhe Perëndimit nuk do të jetë tradicionale si dikur me kufij të caktuar qartë. Do të jetë një përzierje ideologjike e shteteve, por për arsye teknologjike dhe përparimeve në fushën ushtarake do të jetë më e ashpër se ish- Lufta e Ftohtë.

Rreziku do të jetë i lartë për BE-në me mundësi të humbjes së fuqisë në garën e re. Ballkani Perëndimor pasi që nuk ka ndonjë rrugë të qartë dhe shtetet e kanë të pamundur të veprojnë të pavarur në sistemin e ri global të Luftës së Ftohtë, do të mbeten aty ku janë sot, të kërcënuar nga jashtë dhe me rënie të standardeve demokratike dhe ekonomike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.