LSDM publikon “bombë” të re: 5.3 milionë euro për kompaninë e Ivica Tomovskit të VMRO-së, Tomovski: Kompania e përmendur nuk është e imja

Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së (EAK) sot publikoi një skandal të ri, duke akuzuar qeverinë e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-në për abuzime sistematike me para publike përmes kompanive të afërta me pushtetin, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën për shtyp, anëtari i Komitetit Qendror të LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, prezantoi dokumente që, sipas tij, dëshmojnë për “pompim të organizuar të parave të qytetarëve përmes rrjeteve të afërta familjare”.

“EAK vazhdon pa ndalur me publikimin e krimeve të VMRO-DPMNE-së dhe qeverisë së Mickoskit. Tashmë pamë se si janë nxjerrë 9 milionë euro përmes njerëzve të afërt dhe ndërmjetësve, si dhe tenderë të manipuluar”, tha Dimitrijeviq.

Ai deklaroi se skandali i sotëm tregon se “skemat po bëhen edhe më brutale”, duke akuzuar se tani abuzimet po kryhen drejtpërdrejt nga familjarë të zyrtarëve të lartë.

Sipas tij, të gjitha gjurmët çojnë te Ivica Tomovski, funksionar i lartë i VMRO-DPMNE-së dhe drejtor i Sektorit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë.

“Nuk pastron shërbimi i Qeverisë – pastron kompania familjare e Tomovskit. Dhe ky ‘pastrim’ matet me miliona euro!”, nënvizoi ai.

Sipas dokumenteve të publikuara, kompania familjare e Tomovskit, e cila ka ndryshuar emrin disa herë, por jo numrin e saj të identifikimit – ka marrë nga institucionet dhe komunat: 5.360.000 euro në 161 tenderë.

Ai theksoi se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, biznesi i familjes Tomovski është rritur me 306% vetëm në vitin 2024. Ndërsa në vitin 2025, kompania ka marrë tashmë 10 tenderë të rinj, me vlerë gati gjysmë milioni euro.

Pronari fillestar i kompanisë “City Logistic” është Vitomir Tomovski, babai i Ivica Tomovskit, ndërsa menaxher është Slobodan Kutanovski, i afërm i tyre. Më pas kompania ka ndryshuar emrin në “City Outsourcing”, duke ruajtur të njëjtën adresë dhe të njëjtin numër identifikues.

Por, Tomovski reagoi ndaj akuzave të LSDM-së, të cilat i quajti akuzat “të rreme, të porositura dhe të orkestruara” nga, siç tha ai, “partia në rënie që tenton me çdo kusht të shpifë dhe të etiketojë”.

Tomovski i hodhi poshtë kategorikisht akuzat se kompania e përmendur është e lidhur me të:

“E vërteta është e thjeshtë: kompania e përmendur nuk është e imja, as nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë pjesëmarrje në të. Aktualisht nuk posedoj asnjë kompani private dhe jam tërësisht i përqendruar në detyrën time si drejtor i Sektorit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta. Gjatë gjithë jetës kam punuar ndershëm dhe me përgjegjësi – dhe kështu do të vazhdoj.”

Ai paralajmëroi masa ligjore: “LSDM do të duhet të kërkojë falje për shpifjet e bëra, përndryshe do të ngre padi në institucionet kompetente”, përfundoi Tomovski.

Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipce, paralajmëroi se partia e tij do të nxjerrë përsëri bomba, ndërsa në vend të bisedave të përgjuara në mënyrë të paligjshme, bombat tani do të jenë akuza penale kundër zyrtarëve aktualë për korrupsion që do të përgatiten nga aktivistë të rinj të partisë, të cilët Filipce i quajti  “forcë e re”.

Kujtojmë se në vitin 2016, kur Zoran Zaev shpaloste bombat, u zbulua se, përmes tri sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008-2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor. Komunikimi është ndjekur para se të dorëzohen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlerës së urdhrit gjyqësor  me numër 1.541 ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.