LSDM propozoi ligje që VMRO-DPMNE i premtoi në programin zgjedhor, por deputetët e VMRO-DPMNE-së i refuzuan
Dymbëdhjetë ligjet e paraqitura nga LSDM, të cilat janë premtime të pambajtura nga Programi i VMRO-DPMNE-së me të cilin fitoi zgjedhjet, u refuzuan dje nga vetë deputetët e VMRO-DPMNE-së, transmeton Portalb.mk.
“Në një vit qeverisjeje, ju që thatë ‘Kurrë Veriore’, mbetwt nw ligjet e dorwzuar dhe votuar mbi 110 ligje për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut”, akuzoi deputeti i LSDM-së, Jovan Mitreski.
Për t’u siguruar që premtimet e VMRO-DPMNE-së, ose të liderit të opozitës së atëhershme, Hristijan Mickoski, nuk do të mbeteshin vetëm fjalë boshe në letër, deputetët e LSDM-së i hoqën premtimet e pambajtura të VMRO-DPMNE-së nga programi zgjedhor “1198” dhe në vend të kolegëve të tyre, deputetëve të VMRO-së, vendosën t’i paraqesin ato në Parlament në emër të LSDM-së.
Të gjitha ligjet e propozuara janë për paga më të larta, për një jetë më të mirë dhe për një standard më të lartë jetese për qytetarët, për kthimin e atyre që kanë ikur jashtë vendit, nga seksioni në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së i quajtur: “Mirë se vini në Maqedoni”.
“Ajo që shohim nga këto dy votime të para është se ju, si anëtarë të shumicës, nuk qëndroni pranë asaj që vetë keni shkruar në programin zgjedhor dhe programit me të cilin keni dalë para qytetarëve dhe keni kërkuar dhe keni marrë besimin e tyre”, tha deputeti Jovan Mitreski nga LSDM, duke cituar Mickoskin të ketë thënë vitin e kaluar se “kjo platformë është më se thelbësore për realizimin e vizionit të ndërtimit të një shoqërie më të mirë që u shërben qytetarëve, një plan politik vizionar që mbështetet në një qasje moderne dhe të saktë ndaj menaxhimit të burimeve që do të krijojë kushte për një cilësi më të mirë jetese dhe zhvillim ekonomik dinamik”.
Mitreski e shpjegoi propozimin e grupit parlamentar të LSDM-së që parashikon që kompanitë të përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale për një periudhë prej një viti për të gjithë personat që kanë jetuar jashtë vendit për të paktën një vit, që ishte një premtim i VMRO-DPMNE-së, në seksionin “Mirë se vini në shtëpi”, në të cilin kthimi i popullit tonë në atdhe është prioritet i Qeverisë së re.
“Këtu, ne kemi paraqitur një ligj sipas asaj që ju vetë keni shkruar në programin tuaj, në programin me të cilin keni kërkuar besim. Ju bëj thirrje edhe një herë si përfaqësues të shumicës, nëse vërtet besoni në programin tuaj, atëherë ta mbështesni këtë propozim, nëse nuk e bëni këtë atëherë bëhet e qartë se ky program ishte vetëm një mashtrim fushate parazgjedhore ose i përkthyer në maqedonisht ky program ishte vetëm një gënjeshtër”, tha Mitreski.
LSDM paraqiti një ligj për të vazhduar rritjen e pagës minimale, pastaj një ligj për të vazhduar rritjen e të gjitha pagave në sektorin privat dhe publik dhe asnjëri prej tyre nuk u pranua. Ligji për veteranët ka ngecur në procedurë për një vit. Ligji për viktimat e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, i paraqitur gjithashtu nga LSDM, është në labirinte të çuditshme biznesi dhe nuk mund të shohë dritën. U paraqitën mbi 400 amendamente në Buxhet dhe, siç tha Mitreski, për herë të parë në historinë e Parlamentit tonë shumëpartiak, asnjë prej tyre nuk u pranua.